Të gjithë liderët europianë dhe përfaqësuesit më të lartë të insititucioneve të BE kanë zbritur në Tiranë për punimet e Samitit Politik Europian. Një nga një, të gjithë liderët u pritën nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në një ditë si kjo, Sali Berisha ka shkuar i vetëm në Bruksel për një takim.

Berisha shkoi në Forumin e IDU-së, një organizatë ndërkombëtare që bashkon partitë politike konservatore, qendër të djathta dhe demokristiane nga mbarë bota. Berisha ka shkuar për të denoncuar atë që e quan “vjedhjen e zgjedhjeve”, por në fakt “harron” që i gjithë Brukseli zyrtar e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit dhe sot u shfaqën krah kryeministrit Rama, duke përfshirë edhe shumë liderë të partive anëtare të IDU-së.

Emri i Sali Berishës nuk figuron në listën e folësve zyrtarë të ftuar në Forumit. Kreu i PD-së ka folur vetëm në sesionin e mbyllur si përfaqësues i një partie anëtare.

Nga ky takim, Berisha tha se narkoshteti vodhi zgjedhjet dhe thotë se Rama për të siguruar mandatin e katërt, vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës.

“Dua të informoj Bordin Ekzekutiv të IDU-së se zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri ishin një farsë e qartë, e paralajmëruar, një farsë masive, e parashikuar në rezolutën e IDU-së, në rezolutën e PPE-së, në rezolutat e CDI-së dhe në qëndrime të tjera ndërkombëtare.

Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë terrori politik të paparë më parë, ku Kryeministri, i cili tani udhëheq një narkoshtet, i pari dhe i vetmi narkoshtet në Europë, për të siguruar mandatin e katërt, vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës, u hoqi mandatet kryetarëve të bashkive dhe burgosi deputetë të opozitës.

Së dyti, si narkoshtet që është, Shqipëria u bë vegël e organizatave kriminale që u përdorën gjerësisht për të siguruar vota për Kryeministrin. Në zyrën e tij ka një person që koordinon aktivitetin e organizatave kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këto zgjedhje, këta individë kishin për detyrë të sillnin në Parlament 28 deputetë përmes pagesave dhe terrorit. Në fakt, sot njerëzit më të votuar janë kandidatë anonimë të këtyre bandave dhe organizatave kriminale”, tha Berisha.

Berisha thotë se PS bleu votat me 100 euro, ndërsa flet edhe për mbylljen e TikTok.

“Për të fituar, Kryeministri e ktheu të gjithë administratën dhe shtetin në një makineri të madhe elektorale. U përdorën mjete publike financiare për të blerë vota. Konkretisht, çdo pensionisti iu dhanë 100 euro si “dhuratë” në mes të fushatës zgjedhore, si një dhuratë nga Kryeministri. Por, zonja dhe zotërinj, pensionistët përbëjnë sot 48% të elektoratit në Shqipëri, pasi në 10 vjet janë larguar rreth 600,000 të rinj.

Po ashtu, dy ditë para zgjedhjeve, Kryeministri shpalli një amnisti për të gjitha gjobat dhe interesat 10-vjeçare, me një total mbi 200 milionë euro. Punonjësit e administratës publike u vunë nën presion, u kërkua që secili të siguronte 10 vota nga familja dhe rrethi i tij. Ata u përdorën si patronazhistë në një sistem të vjetër diktatorial stalinist, ku votuesit kontrolloheshin në çdo mënyrë dhe pranë qendrave të votimit u ngritën zyra për të ushtruar presion.

Zgjedhjet, e përsëris, u zhvilluan në një narkoshtet. Gjatë fushatës, Kryeministri dha 138 licenca për mbjelljen e dhjetëra mijëra rrënjëve kanabisi, ku një rrënjë në Shqipëri vlen rreth 1,000 euro, përdori drogën për vota. Po ashtu, masivisht u bënë punësime në administratën qendrore, lokale dhe ndërmarrje publike për qëllime elektorale.

Ai financoi me 7 milionë euro një organizatë private për ngjarjen Giro d’Italia, që u mbajt në ditën e zgjedhjeve dhe ditën para tyre, thjesht si propagandë. Kontroll i plotë u ushtrua mbi të katër mediat kombëtare. Ai bllokoi TikTok-un, u bë personi i tretë pas Habibullah të Kabulit dhe Ajatollahut të Teheranit që e bëri këtë, vetëm që të mos kritikohej”, tha Berisha.

Berisha i cili nuk njeh as zgjedhjet, ka thirrur sot protestë në 17:00, por Berisha mund të mos jetë i pranishëm duke qenë se ndodhet në Bruksel dhe mund të vij në vetëm për fjalën përshëndetëse në fund.