Kryesocialisti Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një takim me banorët në Gjirokastër. Rama u ndal te zhvillimet ekonomike dhe turistike të zonës, duke theksuar rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve dhe përmirësimet në infrastrukturë.

Gjatë fjalës së tij, Rama kritikoi skeptikët, duke theksuar se ndryshimet janë të dukshme për banorët e zonës. Ndërsa tha se vendi ka kaluar një transformim të thellë në dekadën e fundit. Nëse para 10 vitesh Shqipëria shihej si një vend “qesharak” nga ndërkombëtarët, sot gëzon respekt dhe një rol dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

“BE ka një makineri që është makineria më e madhe burokratike e botës që ndjek 24 orë 7 ditë të javës cdo gjë. Nuk të falin as për sytë e bukur, as e u pëlqen deti Jon, sepse dua të dinë që ky shteti i ri që po fusim brenda a i përmbush standardet tona? Këtë gjë nuk e llogarit njeri, deri para 10 vitesh ne ishim një vend që më besoni, ishte shumë e rëndë për mua kur takoja udhëheqësit e Europës, sepse e ndjeja që kishte në brendësinë e tyre një ndjesi, që në rastin më të mirë ishte keqardhje, në rastin më të keq ishte përçmim për vendin tonë. Dhe jo pa faj, se ishim një vend qesharak, komplet qesharak, që nuk kishte asnjë lloj pozicioni, asnjë lloj respekti, thjesht formalitet. Ishte tamam kur tako dikë që ti e sheh që po të dëgjon, por po të sheh në një mënyrë që të thotë mbaro tani se kam punë do iki. Shqipëria kurrë nuk ka qenë në këtë pozicion që është sot ndërkombëtarisht. Kjo nuk ka ndodhur se kanë zbuluar ata detin dhe malin, por sepse procesi ynë i shtetbërjes po shkon drejt përmbylljes. Në momentin që BE të fut brenda, ti je bërë shtet”, tha Rama.