Tensione të shumta janë parë në KZAZ-në 40 në Tiranë ku ka pasur përplasje fizike dhe ndërhyrje me forcë të policisë në ambientet e shkollës ‘Sami Frashëri’ në Tiranë, ku po zhvillohet numërimi i votave.
Partia ‘Mundësia’ ka akuzuar grupet e numërimit për një tentativë të hapur për manipulim votash, ndërsa ka denoncuar se 7 fletë të saj po shpallen të pavlefshme në mënyrë të pajustifikuar.
Sipas drejtuesve të partisë, fletët e votimit janë me dy vulat e rregullta të komisionit, por po kontestohen për shkak të se kanë ngjyrë tjetër, çka sipas tyre është një pretekst për t’i nxjerrë jashtë loje.
“Këto janë vota me vulë të KQZ-së. Po thonë janë të pavlefshme sepse kanë ngjyrë tjetër. Po i heqin nga numërimi, kjo është vjedhje e hapur,” -u shpreh drejtuesi politik i “Mundësisë” për këtë zonë.
Kreu i partisë, Shehaj, ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe ka kërkuar të lexojë urdhrin për përjashtimin e vëzhguesve të tyre, duke theksuar se të gjithë personat në ambientet e KZAZ-së janë të autorizuar.
“Urdhri thotë të largohen njerëz të pautorizuar. Këtu nuk ka asnjë të tillë. Po kërkojnë të shpallin të pavlefshme votat tona. Kërkojmë t’i shohim, por nuk na i tregojnë,” – tha Shehaj për mediat.
Nga ana tjetër, sekretari i KZAZ-së ka konfirmuar se fletët në tavolinën numër 4 janë në një format tjetër dhe do të rivlerësohen, por nuk janë shpallur ende të pavlefshme.
“Kemi kërkuar vetëm të largohen ata që na shqetësojnë,” -u shpreh ai.
Situata ka degraduar në përplasje fizike, ku vëzhguesit e partisë ‘Mundësia’ janë shtyrë me forcë nga efektivët e policisë, të cilët tentuan t’i nxirrnin jashtë me urdhër të KZAZ-së.
Partia “Mundësia” ka lajmëruar menjëherë kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, për incidentin dhe ka paralajmëruar se do të jenë aty për të garantuar votën.
Pas tensioneve kreu i Partisë Mundësia është lënë brenda KZAZ-së kurse policia nga ana tjetër ka vendosur të nxjerrë të gjithë vëzhguesit e partive politike dhe mediat të cilat janë të autorizuara.
Për këtë ngjarje ka reaguar dhe Partia Demokratike e cila përmes një deklarate për mediat ka thënë se po tentohet të manipulohet vota.
Njoftimi i Partisë Demokratike:
* “Denoncim për Manipulim të Votave në Zgjedhjet e 11 Majit: Rasti i ‘Trenit Bullgar’ në KZAZ 40”
Manipulimi i votave ne zgjedhjet e 11 Majit deshmohet nga fakti ne video, ku fletet e votimit jane te palosura ne te njejten forme dhe simetri dhe te bashkuara, cka deshmon se kemi te bejme me nje fenomen te njohur te manipulimit te votes me termin “treni bullgar”.
Kryetarja e deges 9 Eda Grimci ka denoncuar kete fakt nga KZAZ 40, grupi i numerimit 40 ne shkollen “7 Marsi”.