Një deklaratë e fortë ka ardhur nga avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, pas marrjes zyrtare të klientit të tij si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Me tone të ashpra, Cakrani denoncoi atë që e quajti “tradhëti politike” nga vetë njerëzit që dikur i qëndronin pranë Metës në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por që sot, në vend që të jenë në bankën e të akuzuarve, janë dëshmitarë të lirë, madje edhe në poste publike.
“Ka zyrtarë dhe ish-zyrtarë të LSI-së që duhet të ishin prapa hekurave dhe jo zoti Meta. Ata sot janë dëshmitarë, ndërsa Meta mbahet si i pandehur për një akuzë që nuk ka ndryshuar asgjë nga dita kur u kërkua masa e sigurimit. Një çështje politike, një farsë për të larguar vëmendjen nga problemet që ka vetë procesi zgjedhor në vend,” tha Cakrani me një gjuhë të prerë, që parashikon një përballje të gjatë dhe të egër me drejtësinë.
Mbrojtja e Metës këmbëngul se lobimi i shumëpërfolur në SHBA nuk mund t’i vishet vetëm një njeriu, ndërsa bën thirrje që hetimi të shtrihet te gjithë struktura drejtuese e LSI-së në atë kohë – deputetë, ministra, funksionarë të lartë – të cilët, sipas tij, kanë firmosur dhe mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo marrëveshje, pagesë apo lidhje jashtë vendit.
“Zoti Meta nuk ka qenë vetëm në atë parti. Kjo është një çështje e montuar. Do thirren të gjithë ata që kanë firmosur dhe kanë dijeni për lobimet. Emrat do dalin. Ky do jetë procesi i shekullit,” përfundoi Cakrani, duke paralajmëruar se zbardhja e dosjes do trazojë jo vetëm skenën politike, por edhe radhët e dikurshme të aleatëve të Metës, të cilët tani, sipas tij, kanë zgjedhur të shpëtojnë veten, duke kthyer shpinën./Lexo.al