Gjykata e Apelit ka vendosur këtë të enjte t’i japë pafajësinë këngëtarit të njohur, Luzi Ejlli.

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi ankimin e bërë nga avokatët Arbër Hoxha e Dritan Metani, duke prishur vendimin e Gjykatës së Fierit për dënimin me 1 vit burg të këngëtarit për “falsifikim dokumentesh”, duke e deklaruar atë të pafajshëm.

Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i Luiz Ejllit.

“Pas një beteje të gjatë me padrejtësinë pas një vendimi që u bë titull portalesh dhe festë për disa, drejtësia foli sërish dhe qartë: jam i pafajshëm. Gjykata e Apelit e rrëzoi atë vendim absurd që më dënoi me një vit burg, jo sepse më dha një favor, por sepse e pa të vërtetën. Një të vërtetë që shumë më nuk e kërkuan kurrë, sepse nuk iu interesonte drejtësia por shkatërrimi.

E derisa unë luftoja për të mbrojtur emrin, jetën dhe të ardhmen teme kishte njerëz që qeshnin, kishte sy që ndriçonin nga lajmi i dënimit tem. Madje edhe thoshin që e mori atë që e meriton. Pikërisht sot deshta, është koha që këta njerëz ta ulin kokën, jo nga frika, por nga e vërteta, sepse kur e dëmton një njeri të pafajshëm, nuk fiton as drejtësia as morali, por veç urrejtja. Faleminderit drejtësisë që foli, faleminderit atyre që besuan në pafajësinë time”, tha fituesi i BBVA 2.