Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga ceremonia e dhënies së çmimit “Karli i Madh” për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kjo ceremoni u zhvillua në Aachen të Gjermanisë

“Privilegj të isha ndër të ftuarit e nderit në ceremoninë e akordimit të çmimit prestigjioz “Charlemagne Prize” për Presidenten e Komisionit Europian dhe miken e çmuar, Ursula von der Leyen”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.

Politikania gjermane e mori çmimin në sallën e kurorëzimit të Bashkisë së Ahenit. Gjatë ceremonisë mbajti fjalën Von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Mbreti Felipe VI i Spanjës. Në fjalën e tij, Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Ursula von der Leyen i jep Evropës një zë përfaqësues në botë.

Pas fjalimit të Merzit, Von der Leyen mori Çmimin e Karlit të Madh, ndërsa më pas foli për kuptimin që ka për të Evropa dhe si e sheh ajo të ardhmen e kontinentit. Më tej, von der Leyen bëri thirrje për ndërtimin e një “Evrope të pavarur”.

“Epoka e ardhshme e madhe, projekti ynë i ardhshëm i madh unifikues, duhet të jetë një Evropë e pavarur”, deklaroi Von der Leyen. Sipas saj, kjo vlen jo vetëm për vendet e Bashkimit Evropian, por edhe për vendet në të gjithë kontinentin. Ajo deklaroi se Evropa duhet të “marrë çështjet në duart e saj”. Sipas saj, rendi botëror karakterizohet përsëri nga “përpjekjet perandorake për pushtet dhe luftërat perandorake”.

Çmimi Ndërkombëtar i Karlit të Madh i Aachenit jepet që nga viti 1950 dhe konsiderohet nderi më i lartë për meritat në mbështetje të unitetit evropian. Këtë vit, për herë të parë, ai shoqërohet me një milion euro, të cilat do të investohen në projekte proevropiane.