Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë partive politike që kanë anëtarë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Grupet e Numërimit të Votave (GNV), duke kërkuar përshpejtimin e procesit të numërimit në zonat ku ende nuk ka përfunduar.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme.”-thuhet në deklaratën e KQZ.
KQZ thotë se ‘nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati’, duke apeluar për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga të gjitha palët e përfshira.
Nga ana tjetër KQZ kërkon nga kandidatët për deputetë që të respektojnë të drejtën për të vëzhguar procesin pa ushtruar presion ndaj komisionerëve.
“Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve. Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit.”-thuhet në deklaratën e KQZ.
Në fund të deklaratës thuhet se paralajmërohen masa ndaj atyre që nuk zbatojnë afatin e caktuar.
“Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore.”-përfundon deklaratën KQZ.