Një nga operacionet më të bujshme antidrogë, i koduar “Ura”, ka çuar në arrestimin e 42 personave, ndërsa 10 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, përfshirë krerë të grupeve kriminale dhe figura me ndikim në botën e krimit. Në mesin e të arrestuarve ndodhen edhe dy efektivë policie në detyrë dhe një avokat.
Gazetarja e A2 CNN Xhensila Kodra zbuloi rolin kyç të Nuredin Dumanit në zbardhjen e këtij rrjeti kriminal. Sipas saj, bashkëpunëtori i drejtësisë përmes dëshmive të tij ka ndihmuar autoritetet shqiptare dhe ato italiane në identifikimin e shumë emrave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Prokurorët italianë pohuan se në Itali kanë pasur 3 bashkëpunëtorë për hetimet. Ajo që bie në sy është se duket që një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë që ka zbardhur një sërë ngjarjesh e vrasjesh në territorin shqiptar dhe jo vetëm ka qenë i informuar edhe për këtë grup kriminal në Durrës. Emrat e Visit të Pojës dhe Andi Cobës kanë dalë edhe nga dëshmitë e Nuredin Dumanit ka bërë që më herët edhe prokurorët shqiptarë ta merrnin në pyetje. Këto emra që përmenden në dosjen voluminoze të prokurorëve italianë”, tha gazetarja.
Një nga emrat më të përfolur në këtë dosje është ai i Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, një biznesmen me ndikim të madh në qytetin e Durrësit dhe një figurë e rëndësishme në botën e krimit. Ai vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar. Sipas dosjes së SPAK dhe prokurorisë italiane, aktiviteti kriminal i grupit ka nisur që në vitin 2016, ndërsa hetimet janë intensifikuar nga viti 2020.
Gjithçka është dokumentuar falë përgjimeve të realizuara përmes aplikacioneve të koduara si Sky ECC, të përdorura nga anëtarët e rrjetit për të komunikuar. Sipas Dumanit, një celular i tillë blihej në tregun e zi në Tiranë për 2 mijë euro dhe përdorej për gjashtë muaj, duke arritur një kosto prej 4 mijë eurosh në vit.
“Në emra konkretë flitet edhe për ngjarje kriminale dhe pritet të verifikohen këto përgjime. Nuredin Dumani përmend mënyrën si është njohur me këta persona në Durrës dhe si komunikonin dhe siguroheshin përsa i përket aparateve celularë që bliheshin në tregun e zi në tiranë që përdoreshin me aplikacionet Sky Ecc. Sipas tij një aparat celular nëpërmjet të njohurve të tij merrej për 2 mijë euro dhe përdorej për 6 muaj pra 4 mijë euro për një vit”, theksoi gazetarja.
Në dosjen e përbashkët të prokurorëve shqiptarë dhe italianë janë dokumentuar mbi 40 raste të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, përfshirë heroinë, kokainë dhe kanabis, si dhe transfertat e shumave të mëdha parash të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Një tjetër emër i rëndësishëm në këtë skemë, është Adi Çoba, i identifikuar si përgjegjës për transportin e parave. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Agron Ganajn, që ka pritur në Itali një sasi prej 25 kg heroinë. Prokurorët italianë konfirmuan se kanë pasur tre bashkëpunëtorë për hetimin, ndërsa 14 nga të arrestuarit janë të skeduar nga autoritetet italiane.
“Përveç Visit të Pojës është dhe Adi Çoba ka pasur rol kyç në dërgimin e parave, i dokumentuar nga prokurorët italianë. Bëhet fjalë për 25 kg heroinë që janë dërguar në Itali dhe kjo lëndë narkotike atje është pritur nga Agron Ganaj bashkëpunëtor me Çobën. 14 prej shqiptarëve të arrestuar janë të skeduar nga policia italiane pjesa tjetër e kanë kryer veprimtarinë e tyre në territorin shqiptar”, theksoi gazetarja Kodra.
Sipas saj, dosja voluminoze përmban dëshmi, përgjime dhe materiale hetimore që pritet të vërtetohen në vijim.