Një megaoperacion mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane çuan në goditjen e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës. Në total u lëshuan 52 masa sigurie, ku vetëm 42 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 10 persona rezultojnë të jenë ende në kërkim, mes tyre edhe Visi i Pojës dhe Adi Çoba. Në total pjesë e grupit janë 40 shqiptarë dhe 12 italianë.
Në dosjen italiane dhe emrat e 14 shqiptarëve për të cilët është lëshuar masë sigurie dhe fotot e disa prej tyre. Disa prej tyre mes grupit të trafikut të drogës, njihen me pseudonime të ndryshme. Një prej tyre, Adi Çoba, i cili është edhe organizatori i rrjetit të trafikut të kokainës në Itali, njihej me 4 ‘nofka’, “Bazholi”, “Bisha”, “I shëndoshi”, “Cigani”.
Adi Çoba është një emër tërësisht i panjohur për drejtësinë, por shfaqet për herë të parë si drejtuesi i këtij rrjeti kriminal. Në dosje gjendet edhe kjo foto si më poshtë që tregon si funksiononte grupi i Adi Çobës, një rrjet kriminal i mirëorganizuar për trafikun e drogës, ku secili prej anëtarëve ka rolet e ndara.
Në krye të skemës qëndron vetë Çoba, i cili rezulton të jetë drejtuesi i organizatës i cili siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Ai koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.
“Adi Çoba në cilësinë e shefit dhe promovuesit të grupit, siguronte dhe dërgonte në Itali nga jashtë sasi të mëdha heroine dhe kokaine, koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e paligjshme të pjesëmarrësve të tjerë të grupit”, thuhet në dosje.
Pasi Çoba kujdesej që droga të shkonte drejt Italisë, atje e prisnin shqiptarë të tjerë pjesë e grupit kriminal, siç shihet edhe në organigramën se si funksiononte rrjeti.
Në territorin italian, një ndër figurat kyçe ishte Erigels Presi, i cili priste drogën në Itali, e merrte e ruante dhe kujdesej për përpunimin e heroinës dhe kokainës të ardhur nga Shqipëria. Së bashku me të vepronin Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Andrea Buonsante, Giovanni Montedoro të cilët paketonin drogën me qëllim që të shpërndanin në treg.
“Erigels Presi, Massimiliano Fiore, Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Andrea Buonsante, Giovanni Montedoro akuzohen për pjesëmarrje në këtë organizatë të trafikut të drogës, për llogari të së cilës, duke marrë pjesë në fitime në përpjesëtim me rolin e tyre, merrnin substancën narkotike dhe, pas fshehjes në vendet në dispozicionin e tyre dhe përpunimit e paketimit, e transportonin me mjete të dedikuara për këtë qëllim dhe e shpërndanin në territorin italian te blerësit e qëndrueshëm, nga provinca e Leçes, konkretisht në San Cataldo di Lecce dhe Oria, duke marrë në këmbim pagesa në para cash, të cilat pjesëmarrësit i transportonin në Shqipëri, ku qëndronte Adi Çoba”, thuhet në dosje.
Pas përpunimit, droga u dorëzohej shpërndarësve të tjerë, të cilët ishin pjesë e hallkës finale: Angelo Zanzarelli, Michele Sterlicchio, Francesca Caputi dhe Mazzuti Luisa, të cilët e shisnin drogën pakicë në zonat e Oria-s dhe San Cataldo-s së Leçes.
Anëtarët e rrjetit kujdeseshin edhe për grumbullimin e shumave të mëdha të parave cash të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, të cilat më pas transportoheshin drejt Shqipërisë te kreu i grupit Adi Çoba, përmes linjave të autobusëve.
Në një rast konkret më 27 prill 2022, Zanzarelli Angelo u ndalua në parkingun e një supermarketi në Brindisi, ku iu gjet në makinë shuma prej 16,990 euro, që do t’ia dorëzonte Nuredin Kiptiu. Të dy ndodheshin në vendin e takimit për të finalizuar pagesën e një sasie droge.
Hetimet kanë zbuluar se grupi i drejtuar nga Abi Çoba ka trafikuar kokainë e heroinë, të cilat në dosje referohen si “e bardha” dhe “ e kuqja”, nga viti 2016 deri në qershor 2022, jo vetëm nga Shqipëria drejt Italisë, por edhe në Holandë.
Adi Çoba bazën e kishte në qytetin e Durrësit dhe të gjithë veprimtarinë kriminale e drejtonte përmes komunikimit në SkyECC, përmes të cilit komunikonte me pjesëtarët e organizatës dhe jepte udhëzimet për ngarkesat, shpërndarjen dhe pagesat.
Grupi u fundos pas zbërthimit të bisedave në SkyECC, përgjimeve ambientale, por edhe dëshmisë së 3 të penduarve të drejtësisë, mes tyre Nuredin Dumani. Po ashtu, Report Tv publikon edhe foto të disa prej shqiptarëve për të cilët Gjykata e Barit ka lëshuar masa sigurie dhe që janë të përfshirë në episode të ndryshme të trafikut të drogës.