Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare po shkon drejt fundit, me 97% të kutive të votimit të përpunuara deri në orën 16:00 të ditës së sotme. Nga 5,225 kuti votimi në të gjithë vendin, janë numëruar 5,065, duke ofruar një panoramë thuajse përfundimtare të rezultateve.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka siguruar një epërsi të ndjeshme si në numër mandatesh, ashtu edhe në vota. Deri më tani, socialistët kanë fituar 82 mandate në Kuvend, duke thelluar avantazhin ndaj rivalëve të saj të djathtë me mbi 236 mijë vota më shumë në rang kombëtar. PS ka pasur rezultate të forta veçanërisht në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan – zona kyçe që tradicionalisht kanë peshë të madhe elektorale.
Nga ana tjetër, koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike ka arritur të rrisë ndjeshëm përfaqësimin e tij në Kuvend, duke shkuar në 52 mandate. Ky përmirësim vjen edhe si pasojë e rimarrjes së një mandati të mëparshëm të fituar nga partia e Agron Shehajt, “Mundësia”.
Ndërkohë, forcat e reja politike po përfaqësohen gjithashtu në Kuvendin e ri. Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Tom Doshi konfirmohet si forca e tretë politike me 3 mandate. Koalicioni “Nisma – Shqipëria bëhet” ka arritur të sigurojë 1 mandat, po ashtu edhe Lëvizja Bashkë, që përfaqësohet me 1 mandat.
Rezultatet e deritanishme konfirmojnë një avantazh të qartë të Partisë Socialiste, e cila duket se po konsolidon pushtetin e saj për një tjetër mandat qeverisës, ndërsa opozita përpiqet të rikuperojë terren.