Socialistët janë mbledhur në selinë rozë për të festuar 34-vjetorin e Partisë Socialiste. Festa ka bërë bashkë socialistë të rinj e të vjetër, mes tyre figura si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi apo Arta Dade. Klosi tha se PS transformoi Shqipërinë.

Kryesocialsiti Edi Rama po mban fjalim.

Ditë që bëhet e veçantë si rezultat i faktit që vjen pas një fitoreje domethënëse të PS, një fitoreje e cila vjen me një përgjegjësi më të madhe se asnjëherë tjetër, përveç faktit që u mishërua si rezultat i një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër për PS.

Shumë gjëra duhen bërë më mirë në kushtet kur kjo fitore është e lidhur me një mandat besimi të jashtëzakonshëm për të udhëhequr vendin dhe për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, brenda kësaj dekade.

Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, ndërsa kryetari i saj i parë u zgjodh Fatos Nano që e drejtoi deri në vitin 2005, për t’ia lënë më pas stafetën Edi Ramës i cili është në krye të kësaj force politike tashmë prej 2 dekadash.

PS është edhe partia e cila ka qeverisur vendin më gjatë se çdo forcë tjetër politike në 34 vite demokraci. Socialistët morën drejtimin e vendit nga 1997-a deri në vitin 2005, për 8 vite.

PS u rikthye në pushtet në 2013-ën me në krye Edi Ramën i cili qeveris prej 12 vitesh vendin, ndërsa më 11 maj mori mandatin e katërt qeverisës dhe besimin për të drejtuar vendin deri në 2029-ën. Në 34 vite demokraci socialistët e kanë qeverisur vendin për 20 vite.