Kreu i PD-sw Sali Berisha do të paraqitet nesër në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pasi është thirrur për të dhënë shpjegime në kuadër të një kallëzimi penal për shpifje të depozituar nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Gjoka gjyqtarja që vendosi masën “arrest në shtëpi” për Berishën dhe “arrest me burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i është drejtuar SPAK duke kërkuar hetim të thelluar ndaj akuzave publike që janë bërë ndaj saj, në veçanti nga Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur më 23 shtator 2024, Argita Malltezi deklaroi se Gjoka del në një video, ku pretendohet se ajo i kërkon një ish-eksponenti të Partisë Socialiste një shumë prej 500 mijë eurosh për të mos e përfshirë në një grup të strukturuar kriminal. Ajo shtoi se informacioni nuk ishte zyrtar dhe nuk e kishte parë vetë videon, por citoi “burime joformale”.
“Gjyqtarja Gjoka, pretendohet, del në një video të marrë me celular nga një gazetar i larguar nga Shqipëria. Në atë video, sipas këtyre burimeve, ajo bisedon për një shumë prej 500 mijë eurosh”, kishte deklaruar Argita në konferencën publike.

Pikërisht këto deklarata janë objekti i kallëzimit penal të bërë nga Gjoka pranë SPAK. Gjyqtarja kërkon që prokuroria e posaçme të hetojë verifikimin e këtyre pretendimeve që, sipas saj, cenojnë rëndë figurën e një gjyqtareje dhe integritetin e sistemit gjyqësor.

Ndërkohë, SPAK tashmë ka përfunduar hetimet për dosjen “Partizani” dhe e ka dërguar atë për gjykim, çka sipas ligjit e përjashton Gjokën nga trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen. Por akuzat publike ndaj saj vazhdojnë të krijojnë jehonë politike dhe institucionale.

Nesër, pritet që Berisha të japë shpjegimet e tij para prokurorëve, në një proces që do të ndjekë tashmë trajektoren ligjore për të përcaktuar nëse deklaratat publike përbëjnë shpifje të dënueshme apo kanë bazë për hetim më të gjerë./Lexo.al