Zgjedhjet e 11 majit 2025 sollën jo vetëm një test për forcat politike në raport me qytetarët, por ndoshta më shumë një përballje të hapur brenda vetë partive me strukturat e tyre dhe me mënyrën se si prodhohet pushteti. Në letër, përfshirja e votës preferenciale në një sistem të kombinuar me lista të mbyllura për 1/3 e kandidatëve duhej të sillte më shumë demokraci, më shumë përgjegjësi përpara votuesit dhe më shumë garë brenda partive. Në realitet, në shumë raste dhe Partia Demokratike është shembulli më goditës ky sistem ka prodhuar më shumë apati, më shumë heshtje taktike dhe një frakturë të heshtur në marrëdhënien mes bazës dhe drejtuesve politikë.

Në PD, që hyri në zgjedhje me pretendimin për të rikthyer legjitimitetin dhe për të sfiduar qeverinë Rama pas një dekade në opozitë, u vu re një fenomen i habitshëm, një pjesë e mirë e emrave në listat e mbyllura, të vendosur direkt nga kryetari, kishin një angazhim minimal në fushatë. Disa prej tyre nuk shfaqeshin as në aktivitetet bazë të strukturave vendore, ndërsa kandidatë me votë preferenciale përballeshin me një betejë të ashpër, jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj kolegëve të vet në listë.

Fenomeni i “rehatimit” në listën e mbyllur krijoi një hendek të dukshëm mes atyre që kishin të sigurt vendin në Kuvend dhe atyre që duhej të luftonin për çdo votë në terren. Kjo ndau fushatën e PD-së në dy realitete:

Një pjesë që nuk u ndje kurrë në terren, dhe një pjesë tjetër shpesh kandidatë më të rinj apo me më pak influencë në strukturat qendrore që u lodhën duke bërë fushatë edhe për ata që nuk ishin të interesuar të zgjidheshin nga votuesit, sepse tashmë ishin zgjedhur nga kryetari.

Ky sistem duket se ka prodhuar më shumë betejë brenda llojit sesa përballje me kundërshtarin politik. Kandidatë të së njëjtës listë që në publik buzëqeshin së bashku, por në terren zhvillonin një garë të egër për të fituar një vend me votë preferenciale. Janë të shumta rastet ku drejtues lokalë të PD-së kanë favorizuar emra të listës së mbyllur duke injoruar kandidatë që vërtet kishin shanse të fitonin nëpërmjet votës së drejtpërdrejtë. Në disa qarqe, u raportuan përplasje të drejtpërdrejta mes shtabeve të kandidatëve të së njëjtës parti.

Një efekt tjetër i menjëhershëm i këtij sistemi është forcimi i kryetarëve të partive politike, të cilët vendosin një të tretën e listës në mënyrë të pavarur nga baza. Ky është një ndryshim thelbësor, që i zhvesh strukturat vendore nga ndikimi dhe fuqia për të promovuar figura të njohura apo të besuara në komunitet. Edi Rama e përdori këtë model për të garantuar vazhdimësinë e një ekipi të kontrolluar. Nga ana tjetër, Sali Berisha ndonëse në një situatë më të vështirë për shkak të izolimit ndërkombëtar dhe përçarjeve të brendshme e përdori listën e mbyllur për të rikonfirmuar dominimin e tij në PD dhe për të mbajtur kontrollin mbi grupin parlamentar të ardhshëm, edhe në mungesë të rolit aktiv për shkak të dënimeve dhe izolimit ligjor.

Por çfarë prodhon ky model në afatgjatë për partitë?

Së pari, një rënie të ndjeshme të entuziazmit në bazë. Kur vendimmarrja qendrore bëhet absolute, kur kandidimi nuk është më rezultat i meritës, kontributit apo lidhjes me komunitetin, por i marrëdhënieve me drejtuesin, baza e partisë ndjehet e përjashtuar dhe e padobishme. Dhe në politikën shqiptare, ku aktivizmi vullnetar është i rrallë, kjo përkthehet në apati, bojkot, ose më keq akoma, sabotim të brendshëm.

Së dyti, rritet fragmentimi dhe konkurrenca joformale brenda partisë. Kur përfaqësimi nuk matet më me mbështetje reale, por me afërsi me liderin, kandidatët e rinj nuk ndërtojnë rrjete reale të mbështetjes në elektorat, por në qendër. Kjo minon procesin e ndërtimit të një partie moderne, ku fuqia duhet të vijë nga poshtë-lart, jo anasjelltas.

Në fund, edhe pse sistemi me lista të kombinuara kishte synimin për të rritur llogaridhënien dhe demokratizimin, në praktikë ka prodhuar efekte të kundërta, një parti më pak dinamike, më pak konkurruese brenda vetes dhe më shumë të varur nga figura e kryetarit.

Një parti që në vend të garës së shëndetshme midis ideve dhe individëve, nxit ruajtjen e status quo-së.

Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin vetëm një provë për rezultatin e numrave, por një alarm për cilësinë e funksionimit të partive politike. Nëse ky sistem nuk rishikohet, ka rrezik që partitë shqiptare të bëhen gjithnjë e më shumë struktura vertikale pa jetë në bazë, ku betejat e vetme do të jenë ato të brendshme – dhe më të dëmshmet për funksionimin e demokracisë./Lexo.al