Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, dhe kandidatët e tjerë të Partisë Demokratike që kërkuan transparencë për votat preferenciale nuk janë të gatshëm të pranojnë heshtjen dhe tradhtinë nga partia e tyre. Pas rrëzimit nga KAS i ankimimeve të tyre, jo nga kundërshtarët, por nga vetë përfaqësuesit e PD-së që bashkuan votat me PS-në, kandidatët po vazhdojnë betejën në Kolegjin Zgjedhor.
Në një akt sfidues dhe të vendosur, Alimehmeti ka depozituar ankimimin në Gjykatën Administrative të Apelit, ndërsa Partia e Ballit Demokrat, në mbështetje të Aulon Kalasë, ka kërkuar pavlefshmërinë e rezultatit në Durrës, ku akuzat për manipulim shkojnë deri te devijimi i votave në favor të Arjan Ndojës, ish-prokurorit të përfolur për lidhje me krimin dhe të shkarkuar nga vettingu.
Vendimi i KAS për të mos pranuar ankimimet, me justifikimin se nuk kishin vulën e PD-së, është cilësuar si një mashtrim procedural për të heshtur zërat kritikë brenda opozitës. Më 30 maj, PS dhe PD votuan bashkë për t’i rrëzuar, ndërsa vetëm Ilir Rusmali mbajti qëndrim ndryshe, duke mbështetur të drejtën e kandidatëve për të kërkuar rinumërim.
Kjo nuk është thjesht një betejë për vota, por një sfidë ndaj një partie që ka humbur busullën dhe ka zgjedhur të heshtë kur i rrëmbejnë votat brenda vetes. Kandidatët e tradhtuar nuk dorëzohen dhe kjo mund të jetë këmbana e parë që i bie fort edhe Sali Berishës, i cili ndonëse në “arrest shtëpie”, po e sheh se opozita po i shpëton nga duart.