Ditët kur pasagjerët në Europë duhet të paguanin tarifa shtesë për bagazhin e dorës (carry-on) duket se po marrin fund. Parlamenti Europian ka votuar pro ndalimit të tarifave për bagazhin dorës në të gjitha linjat ajrore, që operojnë brenda Bashkimit Europian.

Sipas propozimit të ri, udhëtarët do të mund të marrin me vete në kabinë një bagazh dore deri në 7 kilogramë pa pagesë shtesë, përveç çantës që vendoset poshtë sediljes që të gjitha linjat ajrore e lejojnë falas.

Në një deklaratë zyrtare të Komitetit për Transport dhe Turizëm në Parlamentin Europian, nënkryetari Matteo Ricci e cilësoi këtë vendim si “një hap të rëndësishëm drejt një udhëtimi më të drejtë dhe më transparent” dhe theksoi se “bagazhi i dorës falas deri në madhësinë maksimale 100 cm është një e drejtë themelore, që shmang kostot e pajustifikuara.”

Ky vendim është një fitore e madhe për pasagjerët, por jo të gjithë janë të kënaqur. Linjat ajrore me kosto të ulët, si Ryanair, e cila vitin e kaluar fitoi 4.7 miliardë euro nga tarifat shtesë për vendet, bagazhet dhe shërbime të tjera, pritet të preken më shumë nga kjo masë.

Shoqatat e industrisë ajrore kanë paralajmëruar se kjo reformë mund t’i detyrojë kompanitë të rrisin çmimet e biletave për të kompensuar të ardhurat e humbura. Megjithatë, ndalimi i tarifave për bagazhin dorës është pjesë e një pakete më të gjerë reformash për të drejtat e pasagjerëve të udhëhequr nga Parlamenti Europian.

Ndër masat e tjera të propozuara përfshihen: sigurimi i vendit falas pranë të rriturit shoqërues për fëmijët nën 12 vjeç, ulëse falas për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara dhe detyrimi i linjave ajrore për të shfaqur koston e plotë të biletës, që në fillim të procesit të rezervimit.

Megjithëse vendimi është pranuar në parim, ende nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi, pasi pritet një votim përfundimtar në Parlamentin Europian.