Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shndërruar në një arenë përplasjesh të forta politike, me akuza të ndërsjella mes Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Në një deklaratë të ashpër nga foltorja e Kuvendit, Balla lëshoi një lumë akuzash ndaj Berishës, duke e lidhur atë me disa nga momentet më të errëta të historisë politike të vendit, që nga ’97-ta, bashkëpunimi me Millosheviçin, firmat piramidale dhe shpërthimi i depove ushtarake.

“Në ’97 dole dhe the u vodhën zgjedhjet, në 2001 dole dhe the u vodhën, në 2013 ishe kryeministër në detyrë dhe the u vodhën zgjedhjet dhe më pas vit pas viti të njëjtën gjë. Mbi ty rëndojnë djallëzitë më të mëdha të shkaktuara ndaj këtij vendi që nga bashkëpunimi me Sllobodan Milosheviçin për të furnizuar makinërinë e tij luftarake me naftë.”, deklaroi Balla.

Ai solli gjithashtu dëshmi dhe citime për firmat piramidale dhe rolin e SHIK-ut në skemën e “Sudja”-s:

“Ja ku e ke Tritanin me zë dhe figurë që ka thënë: ‘Se unë dhe kryeministri Meksi i thamë Berishës që Sudja nuk çon paratë në bankë’, e ke me zë dhe me figurë, edhe Berisha na tha: ‘Mos kini merak se Sudja ka SHIK-un në kontroll të plotë’, edhe pastaj u zhdukën paratë. Ku shkuan paratë?”, vijoi ai.

Po aq e rëndë ishte akuza për një urdhër të supozuar për bombardimin e Jugut në mars të ’97-ës:

“E më pas hape depot ushtarake dhe deklarimi i dy pilotëve, Ardian Elezi dhe Agron Dajçi, të cilët në 3 mars 1997, kur ti këtu zgjidhëshe President, kishe dhënë urdhër për të bombarduar jugun.”

Balla kujtoi edhe qëndrimet e mëparshme të Berishës ndaj Ilir Metës:

“E mban mend ç’i ke thënë Ilir Metës këtu, i ke thënë kriminel, e akuzuar për vjedhjen e floririt, edhe në 2025 e bëre kandidat për deputet. Hoqe Dashin Sulën dhe vendose Ilir Metën, ky je ti.”

Përgjigjja e Berishës: Akuzon Ballën për vrasje dhe trafik
I menjëhershëm dhe po aq i fortë ishte reagimi i Sali Berishës, i cili e quajti Ballën “kriminel të certifikuar” dhe e akuzoi për përfshirje në trafiqe dhe porositje vrasjesh:

“Personi që foli këtu është i akuzuar për trafiqe të të gjitha llojeve, për trafiqet e prostitucionit përfunduar tek droga, është njëri i akuzuar me dokumenta zyrtare në sallë gjyqe se ka porositur vrasje.”, tha Berisha.

Ai shtoi se provat janë zhdukur me vendime të drejtësisë së kapur:

“Segmentet e drejtësisë, kriminale, kanë djegur me vendim regjistrimet që faktonin personin si një porositës të vrasjeve.”

Berisha akuzoi Ballën se ka pasur lidhje me bandën e Elbasanit dhe se është mbrojtur nga personazhe të njohur të botës së krimit:

“Është njeriu që ka porositur bandën e Elbasanit për të burgosur një familje të tërë… dhe merret më vonë në mbrojtje nga Nuredin Dumani.”

Përmendet edhe një komunikim i datës 10 dhjetor 2020:

“Ky person rezulton se me datën 10.12.2020 ka rënë dakord… që të mos i kërkonin Taos, këtij krimineli që është këtu, asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord. Ky mesazh iu përcoll kriminelit këtu.”

Berisha e mbylli replikën duke e quajtur Ballën:

“Ministër i bandës së Suel Çelës dhe të mbron Altin Troplini.”