Në Xarrë të Sarandës ka nisur puna për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik, i cili do rrisë sigurinë dhe kapacitete, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit për banorët dhe bizneset e zonës. Ky investim, i cili pritet të jetë gati në muajt e parë të vitit të ardhshëm, i përgjigjet kërkesave të zonës, por edhe zhvillimit të pritshëm të saj në vijim.

Nënstacioni i ri, do të jetë në shërbim jo vetëm të banorëve të Xarrës dhe Konispolit, por edhe zonës turistike të Ksamilit, e cila ka një fluks të shtuar gjatë sezonit veror. Janë afro 7 mijë abonentë të cilët do të marrin shërbim përmes këtij nënstacioni.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi ndoqën nga afër ecurinë e deritanishme të punimeve në kantierin e nënstacionit të ri.

“Është një nënstacion totalisht i ri dhe sipas kontratës përfundon në maj 2026. Duke parë ecurinë e punimeve, ashtu si edhe në kantieret e tjera, synojmë ta përfundojmë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Ky është një nënstacion 110/20 me një fuqi prej 50 megas,h që do të thotë një 8 -fishim të kapaciteteve krahasuar me nënstacionin ekzistues”, sqaroi Dalipi.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi nevojën për ndërtimin e këtij nënstacioni të ri, i cili do të ketë një impakt të rëndësishëm në furnizimin me energji elektrike në të gjithë zonën e jugut, e cila ku me nisjen e sezonit turistik fluksi i lëvizjeve është rritur ndjeshëm.

“Ne duhet të kuptojmë që e gjithë zona e jugut tashmë është një zonë e cila e shumëfishon numrin e banorëve nga maji deri në tetor. Nga ana tjetër, është një zonë e rëndësishme edhe përsa i përket bujqësisë këtu dhe ne e kemi diskutuar nga fillimi që energjia në këtë zonë nuk duhet vetëm për banorët dhe flasim për 7 mijë abonentë që përfitojnë nga ky projekt. Këtu përfitojnë të gjithë njësitë turistike qofshin këto hoteleri, restorante, por edhe të gjitha njësitë e bujqësisë të ngritura në zonë”, nënvizoi Balluku.

Referuar sezonit turistik dhe furnizimit me energji elektrike, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se deri më tani situata ka qenë në normalitet të plotë, pa problematika, ndërkohë që edhe për javët në vijim, kur pritet të jetë edhe piku i sezonit turistik, janë marrë masat për të garantuar një shërbim sa më cilësor.

“Performanca gjatë kësaj vere ka qenë shumë e mire. Akoma nuk kemi ardhur në pikun e sezonit, ndaj edhe ne jemi duke u përgatitur për korrikun dhe për gushtin, duke qenë se edhe të gjitha të dhënat që marrim nga njësitë turistike janë që do ketë një rritje me 20-30% të volumeve krahasuar me një vit më parë. Por ne jemi në pozita shumë më të mira se në 2024, që ka qenë një vit i mirë për përballimin e kërkesës me energji elektrike. Na duhet vëmendje e shtuar tek sistemi energjetik në këto momente qoftë linjat e transmetimit, qoftë edhe ato të shpërndarjes ku ndodhemi sot. Bashkëpunimi midis OST-së dhe OSSH-së është shumë i rëndësishëm”, tha Balluku.

Nënstacioni i ri elektrik në zonën e Xarrës do të ndikojë gjithashtu edhe në uljen e nivelit të humbjeve në rrjet.