Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zv/kryeministre, Belinda Balluku, mori pjesë në Forumin Global të Transportit dhe Ndërlidhjes, mbajtur në Turqi nën kujdesin e veçantë të Presidentit Erdogan dhe Qeverisë turke.
Në këtë ngjarje të rëndësishme vjetore morën pjesë 70 ministra nga e gjithë bota, të cilët diskutuan për zhvillimet dhe sfidat në fushën e transportit modern dhe ndërlidhjes multimodale.
Në deklaratën e saj, ministrja Balluku theksoi progresin që Shqipëria ka arritur në transportin rrugor dhe aviacionin civil, si dhe prezantoi projektet e reja për zhvillimin e porteve, që po e pozicionojnë vendin mes vendeve të zhvilluara.
“Kam prezantuar me këtë rast progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në fushën e transportit rrugor, aviacionit civil, si dhe kam prezantuar projektet e reja që lidhen me portet, me ato porte, të cilat e kanë futur Shqipërinë në një listë tjetër, në një listë të vendeve të zhvilluara”, tha Balluku.
Në fokus të forumit ishin çështje si elektrifikimi i hekurudhave, zhvillimi i porteve të gjelbra dhe lidhja e tyre me portet e thata, si dhe rëndësia e projekteve me përfitim rajonal.
“Transporti nuk ka më kufij,” u shpreh Balluku, duke theksuar rëndësinë që ka ndërlidhja për ekonominë, tregtinë dhe sigurinë globale.
Ministrja nënvizoi se transporti multimodal është tashmë një komponent kyç për çdo qeveri, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për garantimin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.