Shqipëria vijon të marrë vlerësime maksimale në Bruksel për angazhimin e saj të palëkundur ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Një raport i miratuar të mërkurën nga Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian nxjerr në pah progresin e vendit në përputhjen me politikat evropiane dhe reformimin e institucioneve, por kërkon rritjen e vigjilencës ndaj sfidave të reja – me theks të veçantë ndikimet destabilizuese që vijnë nga Rusia.

Shqipëria, “kampione” e anëtarësimit!

Raportuesi Andreas Schieder e quajti Shqipërinë “kampione ndër kandidatët për anëtarësim”, duke vënë në dukje mbështetjen e fortë qytetare, konsensusin politik për integrimin dhe përputhjen e plotë me politikën e jashtme të BE-së.

“Shqipëria është në rrugën e duhur dhe ka treguar përkushtim real. Tani është momenti që të thellohen reformat, të krijohen më shumë vende pune, të forcohet shteti i së drejtës dhe të përmbyllet procesi deri në 2027”, – deklaroi Schieder.

Luftë ndaj korrupsionit dhe mbrojtje ndaj ndërhyrjeve të huaja

Ndërsa BE e vlerëson progresin në reformën në drejtësi dhe në luftën ndaj krimit të organizuar, raporti shpreh shqetësim serioz për përpjekjet në rritje të aktorëve të huaj, sidomos nga Kremlini, për të ndikuar në proceset demokratike në Ballkan.

Në raport theksohet se ndikimet e dëmshme ruse përmes dezinformimit, manipulimit mediatik dhe kërcënimeve kibernetike kërkojnë një rezistencë më të fortë nga institucionet shqiptare.

“Forcimi i qëndrueshmërisë përballë ndërhyrjeve të huaja është thelbësor për të mbrojtur demokracinë dhe për të garantuar që rruga drejt BE-së të mos ndikohet nga interesa të jashtme që nuk përputhen me vlerat evropiane”, – theksohet në dokument.

Procesi zgjedhor, media dhe pluralizmi

Eurodeputetët kërkojnë përmirësime të mëtejshme në procesin zgjedhor, me një reformë gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Po ashtu, liria e medias, pavarësia e saj dhe rritja e transparencës përmenden si faktorë kyç për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme.

Fonde dhe mbështetje konkrete nga BE

Një tjetër sinjal i fortë i mbështetjes së BE-së ndaj Shqipërisë është krijimi i Fondit të Reformës dhe Rritjes prej 922 milionë eurosh, që do të vihet në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, sapo të përmbushen kushtet e përcaktuara në

Agjendën e Reformave.

Po ashtu, hapja e zyrës së antenës së Parlamentit Evropian në Tiranë shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe institucionet vendore.

Mesazhi i Brukselit: Shqipëria të mbrojë rrugën evropiane nga kërcënimet ruse
Në përfundim, eurodeputetët theksojnë se Shqipëria jo vetëm që ka bërë hapa të mëdhenj përpara, por ka potencialin për të qenë model për rajonin. Megjithatë, për të arritur objektivin e përmbylljes së negociatave deri në vitin 2027, mbetet jetike që institucionet të jenë më rezistente ndaj ndikimeve të jashtme armiqësore dhe të mbajnë kursin reformues me ritëm të pandalshëm.

Raporti pritet të kalojë për votim në një seancë plenare të ardhshme të Parlamentit Evropian, duke shënuar një tjetër moment kyç në rrugëtimin evropian të Shqipërisë./Lexo.al