I thirrur nga SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me kallëzimin penal të gjyqtares Irena Gjoka për fyerje, Sali Berisha nuk u përmbajt aspak. Ish-kryeministri hyri në zyrat e Prokurorisë së Posaçme me një qëndrim sfidues dhe me akuza të rënda ndaj magjistrates, duke e quajtur atë “mashtruese ordinere” dhe “delikuente klasike” që sipas tij duhet të ishte në burg.
Berisha nuk kurseu as sulmet ndaj kupolës së pushtetit, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumani, të cilin e përmendi me nofkën “Troplini”, për përdorimin e Gjokës si një instrument për të heshtur opozitën. “Një mashtruese ordinere, delikuente klasike, që e ka vendin në burg, e nxitur nga Rama dhe Troplini, ngre padi ndaj meje për fyerje,” u shpreh Berisha në një gjuhë të ashpër dhe të pamëshirshme.
Ai e akuzoi Gjokën për një marrëveshje të dyshimtë me ish-deputetin socialist Alket Hyseni, duke pretenduar se gjyqtarja kishte marrë 500 mijë euro ryshfet për të mos e akuzuar për grup kriminal, por kur u kërkua të tregonte prova, Berisha iu referua vetëm “qytetarit dixhital” si burim të informacionit, duke shmangur çdo verifikim.
Sfida e ish-kryeministrit nuk ndaloi me kaq. Ai kritikoi ashpër reagimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili kishte dalë në mbrojtje të Irena Gjokës, duke e quajtur mbrojtjen e tyre një “fushatë lavdërimi” ndaj një “tradhtareje të drejtësisë”. “Në vend që ta hetonin këtë virgjëreshë të drejtësisë, ata e mbrojnë si të ishte e shenjtë,” theksoi Berisha.
Në një moment të tensionuar me gazetarët, Berisha përdori një gjuhë provokuese për të justifikuar sulmet e tij, duke i thënë se “sipas logjikës së sotme, një grua që tradhton nuk quhet tradhtare, ajo që vjedh nuk është hajdute, dhe ajo që bën krim nuk është kriminele,” duke nënvizuar se kjo është një përpjekje për të mbuluar krimet dhe mashtrimet me imazhin e gruas.
Kallëzimi penal për fyerje ndaj Berishës dhe vajzës së tij, Argita Malltezi, e cila gjithashtu është pyetur nga SPAK, vazhdon në hetim paraprak, por Berisha nuk e sheh këtë proces si ndëshkim, por si një tjetër akt të një sistemi gjyqësor të kapur nga politika. Ai përdor çdo mundësi për të kthyer SPAK-un në arenë beteje politike, duke akuzuar drejtësinë se është në shërbim të Edi Ramës për të shtypur opozitën./Lexo.al