Ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit këtë të hënë në ambientet e SPAK, ku ishte thirrur në zbatim të masës së detyrimit për paraqitje, në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”. Arsyeja? Një virozë.

Në orën 10:00 pritej të firmoste pranë oficerit të policisë gjyqësore, por në vend të tij shkoi avokati Ledio Nuraj, i cili njoftoi se klienti ishte i sëmurë. Një arsye e justifikuar në letër, për sa kohë që pason edhe me raport mjekësor — që Berisha duhet ta dorëzojë për të mbuluar mungesën.

Ndryshe nga herët e mëparshme, këtë herë munguan edhe simpatizantët besnikë përpara SPAK, ndoshta edhe ata të prekur nga ndonjë virozë politike sezonalë.

Ndërkohë, më 30 qershor pritet seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, ku Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehur të tjerë do të përballen me akuzat për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Gjyqi do të udhëhiqet nga treshja Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

SPAK e akuzon Berishën për korrupsion të kryer në funksion, me pretendimin se ka përdorur detyrën e tij si Kryeministër për të favorizuar pasurimin e familjes. Malltezi, ndërkaq, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Në mungesë të kërkesave për gjykim të shkurtuar, procesi pritet të jetë i gjatë dhe i mbushur me dëshmi, prova dhe përballje në sallën e gjyqit — ku për herë të parë një ish-kryeministër i vendit do të përballet me drejtësinë jo si figurë publike, por si i pandehur. Gjykata do të thotë fjalën e vet; virozat, me sa duket, jo.