Pretendimi i Kreu të PD-së Sali Berisha se qeveria ka shpërndarë në fshehtësi licenca për kultivimin e kanabisit bie poshtë përballë fakteve. Redaksia e Lexo.al është interesuar pranë Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) dhe mëson se deri në këtë moment nuk është dhënë asnjë leje për asnjë subjekt.

Burime nga vetë Agjencia bëjnë me dije se procesi i shqyrtimit të aplikimeve është ende në fazë paraprake dhe se asnjë licencë për kultivim, përpunim apo eksport kanabisi nuk është miratuar deri më sot. Subjektet që kanë aplikuar janë ende në procesin e verifikimeve dhe asnjë vendimmarrje nuk është finalizuar nga Komisioni i Licencave, i cili është organi i vetëm përgjegjës për këtë proces.

Në kontrast të plotë me deklaratat politike që kanë qarkulluar në publik, të dhënat e mbledhura nga hedhin dritë mbi një realitet tjetër, nuk ka pasur shpërndarje të licencave, as në mënyrë të fshehtë, dhe as nëpërmjet ndonjë procedure të jashtëligjshme.

Kujtojmë se dhënia e licencave për kanabisin mjekësor dhe industrial në Shqipëri është e rregulluar me ligj dhe përfshin një sërë filtrash institucionalë, përfshirë përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe institucione të tjera shtetërore me rol kontrollues. Të gjitha aplikimet shqyrtohen në mënyrë të dokumentuar dhe çdo hap monitorohet./Lexo.al