ot, besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, një nga datat më të rëndësishme në kalendarin islam. Mijëra qytetarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit në xhami dhe sheshe kryesore për të kryer faljen e Bajramit.

Në Tiranë, ceremonia qendrore u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku falja nisi në orën 06:15. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, gjatë fjalës së tij, theksoi vlerat e solidaritetit, dashurisë dhe përkushtimit ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit. Ai e cilësoi këtë ditë si një festë të veçantë, që këtë vit përkon edhe me ditën e xhuma, duke e quajtur një “gëzim të dyfishtë”.

Spahiu theksoi gjithashtu nevojën për reflektim dhe ndihmë ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, sidomos në një kohë sfidash ekonomike e shpirtërore. “Le ta jetojmë këtë ditë si adhurim dhe jo thjesht si një ditë pushimi”, u shpreh ai.

Ceremoni festive dhe falje të namazit u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit. Në Lushnje, falja u mbajt në sheshin qendror dhe u drejtua nga Myftiu Gramos Blliku. Në Fier, qytetarët u mblodhën në sheshin qendror, ku mesazhi i myftiut Mikel Hazizolli u përqendrua në paqe dhe mirëkuptim mes njerëzve.

Në Vlorë, për shkak të mbylljes së xhamisë nga përmbytjet, falja u organizua në ambientet e Pallatit të Sportit. Myftiu Ardit Hoxhllaku përcolli mesazhin e paqes dhe harmonisë. Edhe në Sarandë, Elbasan, dhe Shkodër, faljet u zhvilluan në mjedise publike, ku udhëheqësit fetarë folën për rëndësinë e qëndrimit pranë vendit dhe njëri-tjetrit në këto kohë sfiduese.

Në këtë ditë të veçantë, portali Lexo.al u uron besimtarëve kudo që ndodhen: Gëzuar Kurban Bajramin! Paqe, mirësi dhe begati në familjet tuaja.

Foto e perdorur e marre nga Duli Kasmi