Të paktën 13 persona janë vrarë dhe mbi 340 të tjerë u plagosën që nga e premtja për shkak të sulmeve iraniane në Izrael. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi shifrën. Mes viktimave është edhe një djalë 10-vjeçar, ndërkohë që 20 persona rezultojnë të zhdukur në një ndërtesë të shembur në Bat Yam.
Irani sulmoi me dhjetëra raketa Jerusalemin, Tel Avivin dhe Haifën. Në sulm morën pjesë edhe rebelët Houthi të Jemenit, të cilët konfirmuan se janë koordinuar me Teheranin dhe ka qëlluar dy raketa drejt Tel Avivit. Tre dronë raportohet se u lëshuan në një bazë ushtarake amerikane në Irak pas sulmeve izraelite ndaj Iranit, por u rrëzuan. Donald Trump ka kërcënuar se nëse Irani sulmon, do të përballet me fuqinë e vërtetë të ushtrisë amerikane.
Ndërkohë, Irani njoftoi se ka arrestuar dy individë të dyshuar si anëtarë të agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në provincën Alborz, ndërsa po përgatisnin bomba, kurthe shpërthyese dhe pajisje elektronike.
Irani e ka cilësuar sulmin e Izraelit ndaj centrave bërthamore iraniane si kalimin e një “vije të re të kuqe”.
“Agresioni i regjimit izraelit kundër Iranit në mes të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara tregon kundërshtimin e regjimit ndaj çdo negociate, siç ka bërë në vitet e fundit”, theksoi ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Ministri i Jashtëm izraelit Izrael Katz ka paralajmëruar se sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë duke thënë se “Teherani po shndërrohet në Bejrut”. Ndërkohë, hapësira ajrore izraelite do të mbetet e mbyllur edhe sot, njoftuan autoritetet e aeroportit të Tel Avivit. Kalimet tokësore me Jordaninë dhe Egjiptin mbeten të hapura.