Kombëtarja Shqiptare ndodhet në Letoni, ku do të luajë takimin e katërt të vlefshëm të Grupit K, për eliminatoret e Botërorit 2026 në Amerikën e Veriut.
Pas barazimit dhe penalltisë së shpërdoruar në Tiranë ndaj Serbisë të shtunën e kaluar, nesër (10 qershor), kuqezinjtë do përballen me letonezët, ku punë bën vetëm 3-pikëshi për llogaritë e grupit dhe objektivin që mbetet vendi i dytë që i çon në play-off.
Ditën e sotme, drejtuesit e kombëtares dhanë edhe një konferencë për shtyp. Në konferencë dolën tekniku brazilian Silvinjo dhe mbrojtësi Kristjan Asllani, në mungesë të kapitenit Berat Gjimshiti.
Asllani u shpreh:
“Duhen karikuar bateritë. Vijmë nga ndeshja shumë pozitive, kur na mungoi vetëm goli. Tani na duhen 3 pikë për gjërat që kemi në mendje dhe për ëndrrën e botërorit. Kemi një ndeshje shumë të vështirë. Ka një trajner italian dhe unë e di shumë mirë si punojnë ata. Janë shumë mirë taktikisht. S’po mendoj për veten, por vetëm skuadrën dhe se si ta fitojmë këtë ndeshje”.
Kurse tekniku Silvinjo u shpreh se ndeshja e dytë mbetet gjithmonë më e vështirë se e para, sepse janë pak ditë përgatitje dhe do shihej gjendja e ekipit. Ai mori edhe përgjegjësitë për penalltinë e humbur nga Manaj në ndeshjen me Serbinë.
“Ndeshja e dytë është edhe më e vështirë, e thonë edhe teknikë të tjerë, do kemi një stërvitje të lehtë dhe pastaj do shohim gjendjen fizike, do diskutojmë edhe për formacionin. Kemi dia lojtarë që mund të zgjedhim, kemi hapësira, për sektorët, në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Kemi mundësi zgjedhjeje nga këta lojtarë. Manaj është lojtarë me eksperiencë, e njoh që nga 2014 të Interi, ka personalitet. Përgjegjësia është imja, pasi sho edhe gjuajtjen e penalltive nga lojtarët në stërvitje, jam unë ai që vendos se kush do i gjuajë, ndaj përgjegjësia është e imja. Ata kanë skuadërtë fortë, lojtarë të fuqishëm e të lartë fizikisht. Ne do shohim skemën e lojës se si do të jetë, me katër apo me tre. Duam të mbledhim sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Nuk mund të them se është ndeshje deçizive, por është e rëndësishme. Kanë edhe trajner italian dhe cilësi të mira. për në është me rëndësi që të mbledhim sa më shumë pikë që të mundemi”, u shpreh tekniku brazilian.
Trajneri nuk dha detaje mbi formacionin e mundshëm dhe skemën e ndeshjes ditën e nesërme, por i qëndroi idesë se ka shumë alternativa zgjedhjeve në çdo repart të fushës. Silvinjo u pyet nga gazetarët edhe për gjendjen e ekipit, duke shpjeguar se situata e lojtarëve është e mirë, sikurse shumë prej tyre vijnë nga një sezon i mirë në ekipet ku luajnë.
Ekipi kuqezi ka zbarkuar në Letoni prej ditës së djeshme, me qëllim për ta përgatitur më qetë takimin dhe për t’u përshtatur edhe me klimën.
Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 4 pikë në tre ndeshje, teksa Anglia kryeson grupin me 9 pikë të plota në tre ndeshje. Letonia mban vendin e tretë me tre pikë dhe ps saj Serbia me 1 pikë dhe Andorra me zero pikë.