Tirana ‘pushtohet’ sot nga dy fronte: I ‘dallgëve’ të tifozëve kuqezi që do mbushin “Air Albania” dhe ambientet e jashtme nëpër lokale e sheshe dhe forcave të sigurisë që e kanë futur kryeqytetin si në ‘shtetrrethim’.
Kombëtarja luan sot (7 qershor), në orën 20:45 të mbrëmjes, takimin e tretë të vlefshëm për Eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026, që do luhet në Amerikën e Veriut, për të aritur dy objektiva në horizont: Një biletë për fazën finale dhe historinë ndaj Serbisë.
Dhe për të mos u përsëritur ajo “deja vu” e shëmtuar e Beogradit nga tifozët serbë, janë marrë të gjitha masat e mundshme me tre gardhe sigurie, 2 mijë forca policore, dronë, qen kontrollues, kamera inteligjente dhe patrullime.
Gjithçka deklarohet se është gati, teksa masa ka që të mos lejohet asnjë send i paligjshëm në stadium, madje të mos përsëritet as droni i vitit 2014 apo banderolat nacionaliste, fishekzjarret, flakadanët e deri te çakmakët.
Biletat këtë herë kanë kaluar në filtër dyfish, edhe pse përpjekjet për tregun e zi nuk kanë munguar (3 të arrestuar deri tani). Ato do të jenë të personalizuara dhe hyrja në stadium do bëhet vetëm me kartën e identitetit që shoqëron edhe biletën që posedon tifozi.
Të paktën 22 mijë tifozë priten në shkallët e stadiumit në ‘dallgën’ kuqezi, si një lojtar shtesë për të ndihmuar djemtë e kombëtares që të marrin një fitore që do jetë me shumë peshë për rrugën e të ardhmes së kompeticionit.
Shqipëria vjen nga një fazë finale jo dhe aq e mirë e Europianit dhe një e dobët e Ligës së Kombeve, teksa në aspektin teknik, trajneri brazilian Silvinjo tha në konferencën e shtypit se gjithçka është gati.
I vetmi dyshim mbetet maja e sulmit, me treshen e mundshme sulmuese, pasi Rei Manaj ka shfaqur jo vetëm probleme fizike, por në një rast edhe shëndetësore për shkak të një helmimi ushqimi. Por deri në minutën e fundit, kur të bjerë fërshëllima e gjyqtarit, formacioni do mbetet pezull.
Shqipëria renditet në Grupin K dhe ka aktualisht 3 pikë në dy ndeshje, kurse Anglia, që është edhe favoritja për ta kapur vendin e parë dhe biletën direkte për Botëror, ndodhet në vendin e parë me 6 pikë në dy ndeshje të luajtura, një prej të cilave e fitoi ndaj nesh.
Nga ana tjetër Serbia nuk kaluajtur asnjë ndeshje deri tani, ndodhet me zero pikë dhe luan shanset e saj, pasi një rezultat pozitiv në Tiranë do i jepte avantazhin për t’u favorizuar në vendin e dytë, që të çon edhe në play-off.
Tekniku Silvinjo tha në konferencë se synimi mbetet vetëm përqëndrimi te loja, rezultati, fitorja e tre pikëve dhe ndeshja e radhës. Takimin e ardhshëm Shqipëria e luan në Letoni në datën 10 qershor.