Një ngjarje e rëndë dhe kaotike është regjistruar mbrëmjen e djeshme në zonën e “Astirit”, ku disa persona janë përfshirë, duke sjellë bllokim të qarkullimit dhe ndërhyrje urgjente të forcave policore për të normalizuar situatën.
Sipas informacioneve paraprake, një person, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, ka shkuar në banesën ku jeton ish-bashkëshortja e tij së bashku me vajzën 15-vjeçare. Në banesë ai ka gjetur dy meshkuj të tjerë.
Menjëherë ka nisur një konflikt verbal dhe më pas përleshje fizike mes palëve. Burri ka lënë mjetin e tij, një fuoristradë e bardhë tip “Porsche”, në mes të rrugës kryesore të bulevardit në zonën e “Astirit”, duke shkaktuar kaos në qarkullim.
Dy personat me të cilët ai u konfliktua dyshohet se kanë pasur marrëdhënie me ish-bashkëshorten e tij, por nuk përjashtohet as mundësia që konflikti të ketë përfshirë edhe vajzën e mitur, megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar.
Policia ka ndërhyrë për të ndaluar përplasjen dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, por deri më tani nuk ka publikuar një deklaratë zyrtare mbi incidentin. Hetimet vijojnë.