Një intervistë e realizuar përmes celularit nga Ilir Meta në një transmetim televiziv ka sjellë për të ndalimin e aktivitetit sportiv për 10 ditë në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja”. Vendimi u konfirmua nga Tedi Blushi, i cili deklaroi për mediat se Komisioni Disiplinor e ka ndëshkuar Metën për këtë intervistë live me gazetaren Beti Njuma.

Në një dalje publike, Blushi e cilësoi vendimin si pjesë e një fushate represive të “narkoregjimit” për të goditur dhe izoluar opozitën. Ai theksoi se ndonëse Meta është i izoluar, ai vazhdon të udhëheqë me vendosmëri Partinë e Lirisë dhe gëzon shëndet të plotë. Blushi shprehu shqetësimin se këto masa janë shkelje të të drejtave të fjalës dhe komunikimit të Metës me gazetarët.

Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i PL u ndal tek zgjatja e hetimeve ndaj Metës, duke e konsideruar atë një akt politik të urdhëruar nga Edi Rama dhe pa asnjë provë ligjore. Ai paralajmëroi se masa e arrestit do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, me synim që çështja të shkojë edhe në Strasburg.