Dy efektivët policorë që reaguan ndër të parët pas sulmit në Banjska, e që mbetën edhe të plagosur Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri dolën për herë të para trupit gjykues në seancën për rastin e njëjtë. Në dëshmitë e tyre disa orëshe, ata treguan se ishin pjesë e një njësiti që po përfundonte turnin rreth orës 02:10 të datës 24 shtator 2023 kur kishin kaluar me makina në Banjskë për të kuptuar se diçka po ndodhte.

“Sa kemi arritur në fshatin Banjska më saktësisht të ora, në anën e djathtë të rrugës që të shpien në Banjska, kemi vërejtur dy kamionë pesha të rëndë që kanë barrikaduar urën, kanë qenë të vendosur mbi urë”, u shpreh Alban Rashiti, efektiv policor i plagosur në Banjskë.

“Për shkak se nuk ka pasur valë nuk kanë punuar, as radiolidhja, as telefonat. Kemi vazhduar rrugës për me dal në magjistrale që lidh Zvecanin me Leposaviçin megjet një teren më të përshtatshëm ku punon radiolidhja dhe telefoni”, tha Çlirim Shaqiri efektiv policor i plagosur në Banjskë.

Pasi kishin marrë urdhrat për t’u kthyer pranë kamionëve të parkuar, rreth orës 3:00 kishin mbërritur edhe dy patrulla nga stacioni policor i Zveçanit në krye me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjaku. Ai tha se sapo ka përshëndetur Bunjakun dhe kanë ndarë detyrat dhe pozicionet dhe është larguar rreth 3 metra ka pasuar një shpërthim të madh.

“Shpërthim nuk e kemi ditur se nga ka ardhur, një eksplodim, një minë, vetëm e di se kur e kam kthyer kokën në anën e majtë kam pa zjarr dhe tym të zi dhe kam parë vetën që jam i goditur”, vijoi Rashiti.

Rashiti, të cilit predha i kishte depërtuar nga kraharori drejt gjoksit për t’iu ndalur fare pranë zemrës dhe një tjetër në këmbën e djathtë, kishte kuptuar se edhe Bunjaku ishte goditur.

“Në anën time të majtë kam vërejtur që tashmë rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë në shpinë dhe i gjakosur nga qafa e shpina dhe i palëvizshëm”, shtoi Rashiti.

“Pasi që ka pasur shumë gjuajtje në drejtim timin nuk ka mundur me dërgu veturën afër rreshterit [Afrim Bunjaku] për shkak se vetura ishte dëmtuar shumë rëndë, më është fikur vetura”, tha efektivi Shaqiri.

Shaqiri tha se e kishin të pamundur të jepnin ndihmë për shkak të intensitetit gjithnjë në rritje të sulmeve.

“Në ato momente e kam kontrolluar për puls edhe pse sulmi asnjëherë nuk është ndalur, nuk ka mundur të vërejë puls, por për shkak të sulmit nuk kemi mund t’i japim ndihmë tjetër”, vijoi më tej Shaqiri.

Të dy efektivët thanë sulmet me armatim të rëndë vinin nga dhjetëra pozicione të ndryshme nga fshati Banjskë.

Në rastin “Banjska” po akuzohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët në seancën e parë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.