Procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës ka hyrë në ditën e tretë, duke nxjerrë në pah disa pasaktësi në numërimin fillestar, por pa ndikuar deri tani në ndarjen e mandateve. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 15:15 të ditës së sotme janë rihapur 278 nga 1282 kutitë e votimit.

Ky kontroll i detajuar ka treguar se Partia Demokratike ka humbur 145 vota që nuk i takonin, ndërsa Partisë Socialiste i janë zbritur 134 vota, të cilat rezultuan si të pavlefshme ose të përfituara gabimisht nga partitë e tjera. Edhe disa nga partitë më të vogla nuk kanë shpëtuar nga korrektimet. “Nisma Shqipëria Bëhet” ka humbur 15 vota, ndërsa Partia “Mundësia”, që është në garë të ngushtë për mandatin e saj të dytë, ka humbur 7 vota të cilat iu ishin llogaritur gabimisht. Nga ana tjetër, Partia Social Demokrate e Tom Doshit humbi 11 vota.

Megjithatë, rinumërimi ka sjellë edhe rritje për disa formacione të vogla politike. Koalicioni i drejtuar nga Lulzim Basha ka fituar 5 vota shtesë, ndërsa ai i Enkelejd Alibeajt ka përfituar 3 vota më shumë.

Kur bëhet fjalë për kandidatët, përditësimet kanë nxjerrë në pah disa zhvendosje të vogla në rezultatet individuale. Ilir Alimehmeti i PD-së, i cili kërkoi rinumërimin me pretendimin se i ishin marrë vota, deri tani ka humbur 24 vota nga rezultati fillestar. Jorida Tabaku ka fituar 11 vota të reja, ndërsa Ilir Meta rezulton të ketë pasur 20 vota që nuk i përkisnin.

Në radhët e PS-së, Olta Xhaçka humbi 8 vota, ndërsa rivalja e saj Blerina Gjylameti ka rikuperuar 2 vota. Fatmir Xhafaj ka humbur 63 vota, Xhemal Qefalia 82, ndërkohë që Erion Braçes i janë shtuar 5 vota.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve nuk ka konstatuar prova për manipulim apo mashtrime të qëllimshme, duke theksuar se disa nga këto gabime kanë ardhur si pasojë e mënyrës së ndërlikuar të fletës së votimit.

Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit në Tiranë pritet të zgjasë deri në 10 ditë dhe përfshin verifikimin e afërsisht 400 mijë fletëve të votimit. Pas përfundimit në Tiranë, i njëjti proces do të vijojë në qarkun e Fierit me 587 kuti dhe më pas në Durrës, ku do të shqyrtohen 360 kuti votimi, përfshirë edhe ato nga diaspora.