Partia Demokratike nuk është më në krizë është në prag shpërthimi. Një deklaratë shokuese e avokatit të Sali Berishës, Genc Gjokutaj, ka trazuar themelet e PD-së, duke kërcënuar me përplasje fizike deputetët që sipas tij po tentojnë të “riasgjësojnë” PD-në dhe vetë Berishën.
Por nuk është thjesht një paralajmërim. Është një shpallje lufte. Dhe emri i padiskutueshëm që del në shënjestër të kësaj “beteje fizike” është ai i Gazment Bardhit dhe grupit të deputetëve që qëndrojnë me të.
“Disa prej tyre edhe deputetë të PD nesër të klonuar nga Rama… beteja me ta sot është më e ashpra pse do të luftohet fizikisht dhe jo online si dje! Lufta është e shpallur!”, shkruan Gjokutaj në një status tronditës në rrjetet sociale, që ka ngjallur shqetësim të thellë brenda dhe jashtë PD-së.
Flutura Açka, deputetja që largohet nga Parlamenti në shtator, nuk ka heshtur përballë këtij kërcënimi të hapur. Ajo ka reaguar publikisht me një mesazh të fortë që ngre një pyetje alarmante: A është ky qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike?
“Ky është kërcënim publik! Të gjithë luftën duket se e kanë me Gazin dhe shokët e tij. Po partinë prej Gazit, dhe një shoqe të Gazit, e keni ore të uruar?!”, shkruan Açka, duke thumbuar me ironi se PD është kthyer në “tokë e xanun”, një pronë private e mbushur me urrejtje dhe dhunë verbale që rrezikon të degradojë në përplasje fizike.
Deklarata e Gjokutajt, që deri dje shihej si zë ligjor i Sali Berishës, sot duket si zë zyrtar i urrejtjes brenda PD-së. Ai nuk flet për debat politik, por për “betejë fizike”, ku objektivi është qartësisht Gazment Bardhi dhe deputetët pranë tij, të cilët shihen si “tradhtarë” dhe “vegla të Ramës”.
Në këtë klimë të nxehur dhe të rrezikshme, pyetja që shtron Açka merr edhe më shumë peshë:
Kush flet sot në emër të PD-së? Berisha, Gjokutaj, apo dhuna?
Nëse partia më e madhe opozitare i lejon vetes një gjuhë lufte, ku përmendet dhuna fizike, atëherë betejat politike kanë marrë fund. Ajo që mbetet është një përplasje për jetë a vdekje jo për idetë, por për kontrollin absolut të një partie që, siç thotë Açka, “është marrë peng”.
Demokratët janë në udhëkryq. Dhe pyetja nuk është më se kush do ta çojë PD-në drejt fitores.
Por kush do ta nxjerrë nga kjo luftë e brendshme që po e shkatërron përfundimisht.
/Lexo.al