Një draft-raport konfidencial i Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri hedh dritë mbi një nga çështjet më të ndjeshme të tensionit mes politikës dhe drejtësisë: rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presionin ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Në dokumentin e Brukselit theksohet se:
“Prokuroria e Posaçme nisi një hetim penal në lidhje me një përpjekje për ushtrim presioni ndaj një magjistrati në një çështje që përfshinte një deputet.”
Ky përshkrim përkon me situatën aktuale të Berishës, i cili gjendet nën hetim nga SPAK dhe është kritikuar ashpër nga drejtësia, ndërsa vetë Gjoka ka depozituar kallëzim penal ndaj tij dhe vajzës së tij, Argita Malltezit, për ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Komisioni Evropian paralajmëron se ndërhyrjet politike ndaj gjyqësorit përbëjnë një kërcënim serioz për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Draft-raporti pritet të publikohet zyrtarisht në fillim të korrikut, si pjesë e vlerësimit të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./Lexo.al