Izraeli ka përdorur një “trishembull” për të sulmuar Iranin. Arma e parë ka qenë forca ajrore dhe raketat e lëshuara nga distanca. E dyta ka qenë përdorimi i dronëve kamikazë të futur brenda territorit iranian. E treta është përfaqësuar nga specialistët e shërbimit sekret izraelit, Mossad.

Tel Avivi ka zbatuar një plan të hartuar prej vitesh, i testuar në stërvitje me armë të vërteta dhe në misione reale, i përshpejtuar sidomos në tetë muajt e fundit (siç pretendohet), kur u krijua një “dritare e favorshme mundësie”: dobësimi i aleatëve të Teheranit që përbënin rrethin e zjarrtë përreth shtetit hebre (Hamas, Hezbollah), dobësimi i brendshëm i Republikës Islamike, kthimi i Trump në skenën politike, kushtet “teknike” dhe një besim i lartë në suksesin e misionit, pavarësisht të panjohurave që shoqërojnë çdo ndërhyrje ushtarake.

Shtabi i përgjithshëm izraelit nisi valën e parë të sulmit në orën tre të mëngjesit dhe ka paralajmëruar se do të ketë të tjera. Janë përdorur 200 avionë – përfshirë avionë luftarakë, mbështetës dhe për luftë elektronike – të cilët kanë lëshuar jo më pak se 300 raketa mbi 100-150 objektiva të ndarë sipas “kategorive”. Në shënjestër ishin disa objekte bërthamore, baza ushtarake, pozicione raketash dhe radarësh, si dhe eksponentët më të lartë të ushtrisë iraniane, duke filluar nga drejtuesit e Gardës Revolucionare deri te shkencëtarët që udhëhiqnin programin bërthamor.

Një ndërhyrje e gjerë, e menduar për të shkaktuar dëme në sistemin që çon drejt krijimit të bombës atomike, për të hapur korridore për sulme të tjera dhe për të shkaktuar kaos në radhët e kundërshtarëve. Sulmet kanë eliminuar dhjetëra figura kyçe, por gjithashtu kanë shkaktuar humbje edhe në mesin e civilëve, pasi janë goditur ndërtesa dhe rezidenca. Regjimi iranian flet për rreth 80 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur.