Një tjetër konferencë për shtyp me zë të lartë dhe jehonë ndërkombëtare nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Sot, në prani të prokurorëve finlandezë, u servir për publikun një operacion si sukses i jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit të organizuar një rrjet trafikantësh droge me rrënjë shqiptare dhe degë në Finlandë. Por pas bujës së deklaratave, një notë ftohjeje erdhi nga vetë Policia e Shtetit, e cila e vendosi gjithë këtë operacion në një kornizë më modeste, “i vështirësie mesatare”.

“Qysh në fillim dua të them që ky ishte një operacion i një shkalle vështirësie mesatare, nuk është se ishte në një shkallë të lartë vështirësie. Për ekzekutimet e masave të sigurisë janë angazhuar rreth 110 punonjës policie. Ka raste që krijohet perceptim i gabuar dhe përshtypje e gabuar, pasi ne dalim në konferenca shtypi, ka përfunduar kjo punë, ndërkohë që gjatë kohës që ne flasim këtu, punonjësit tanë vazhdojnë punët”- deklaroi përfaqësuesi i Policisë së Shtetit.

Në kontrast me këtë qëndrim, SPAK e quajti operacionin një ‘arritje historike’ që shënon krijimin e njësisë së parë të përbashkët hetimore me Finlandën. Hetimi, që sipas SPAK nisi në qershor 2023, goditi një rrjet të strukturuar kriminal që trafikonte drogë nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës. Bilanci? 300 kg drogë e sekuestruar (170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis), 9 të arrestuar, 2 në kërkim dhe 54 persona të proceduar e dënuar në Finlandë.

Në Shqipëri, ndërkohë, u sekuestruan 8 automjete, disa celularë dhe dokumente që pritet të analizohen më tej në vijim të hetimeve pasurore ndaj anëtarëve të grupit. Por ndërsa Dumani e cilësoi operacionin si “provë të qartë të vlerësimit që strukturat nordike kanë për drejtësinë shqiptare”, zëri i Policisë duket se vuri në dyshim këtë entuziazëm institucional.
A ishte ky vërtet një sukses i madh? Apo një operacion mesatar, i kthyer në spektakël konferencash për konsum publik dhe ndërkombëtar?

Në mungesë të rezultateve të prekshme në territorin shqiptar dhe me një pjesë të madhe të hetimit të kryer nga partnerët nordikë, mbetet për t’u parë nëse ky është një tjetër rast kur drejtësia jashtë vendit punon, ndërsa në Shqipëri organizohen konferenca./Lexo.al

Gazetar i lajmit Hermes Kafexhiu