Kuvendi nuk do të zhvillojë punimet ditën e enjte, pasi Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, nuk do të jetë prezent. Pas një debati në Konferencën e Kryetarëve, ku mazhoranca dhe opozita shprehën qëndrime të ndryshme, u vendos që seanca të shtyhet për ditën e hënë.
Seanca e re do të nisë në orën 13:00 dhe në rend dite do të jetë vetëm miratimi i procesverbalit, si dhe diskutimi i projektligjit për performancën energjitike të ndërtesave.
Anëtarët e opozitës argumentuan se shtyrja nuk ishte e nevojshme, duke theksuar se punimet mund të drejtoheshin nga një nga dy nënkryetarët e parlamentit. Megjithatë, mazhoranca insistoi në rëndësinë e drejtimit nga Kryetarja Spiropali, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Ukrainë.
Kjo legjislaturë do të përfundojë më 8 korrik, ndërsa në shtator do të fillojë mandati i ri i Kuvendit me deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 11 majit. Partia Socialiste pritet të ketë 83 deputetë, shumica prej të cilëve do të jenë për herë të parë në parlament. Partia Demokratike do të përfaqësohet nga 42 deputetë, ndërsa aleatët e saj do të kenë 8 vende në kuvend.
Gjithashtu, në parlament do të jenë edhe 3 deputetë nga Partia Socialdemokrate, 2 deputetë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe për herë të parë do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.