Një ngjarje e jo e zakontë është shënuar paraditen e sotme në aksin rrugor Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush, ku një i ri ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë për të ndaluar mjetin. Sipas informacioneve i riu që drejtonte automjetin është Justin Dushku. Pas refuzimit të ndalimit në postbllok, Dushku ka tentuar të godasë efektivët më pas uniformat blu i janë vendosur pas për ta ndjekur dhe kanë qëlluar drejt mjetit të të riut.

Patrulla e policisë rrugore i ka bërë me shenjë drejtuesit të mjetit të ndalonte, por ky i fundit ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrave të efektivëve. I riu mësohet se ka qenë pa leje drejtimi dhe nga informacionet patenta i ishte marrë për shkelje të mëparshme. Në përpjekje për të ndalur makinën, policia ka qëlluar në drejtim të automjetit.

Nga të shtënat nuk ka të lënduar dhe as dëme tek kalimtarët apo mjetet e tjera në qarkullim.

Pas disa minutash ndjekjeje, policia ka arritur të neutralizojë dhe të ndalojë të riun, i cili ndodhet aktualisht në komisariat.

Për ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e plot.