Media e njohur amerikane ‘Fox News’ i ka bërë jehonë publikimit të lajmit të paraqitjes së mbrojtjes ligjore të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt.
Në një vend të posaçëm në median amerikane, raportohet se ‘në emër të Erion Veliajt, kryetarit të bashkisë së Tiranës, publikojmë raportin mbi arrestimin e pajustifikuar nga SPAK të një Kryetari bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike’.
“Shqipëria ka përqindjen më të lartë të personave në paraburgim në raport me popullsinë e përgjithshme të burgjeve ndër vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Që nga prilli 2025, kjo përqindje është 61.6%. Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit apo Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues (“CPT”) ka shprehur shqetësim serioz për mbështetjen e tepruar në paraburgimin në Shqipëri, e cila është shkaku kryesor i mbipopullimit të sistemit të burgjeve.’’ – citohet, mes të tjerash, në raportin e studios ligjore të publikuar në ‘Fox News’.
“Raporti Kasowitz-Mishcon de Reya përshkruan se si Kryetari Veliaj u ndalua nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”) më 10 shkurt 2025 – vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. SPAK e ndaloi Kryetarin Veliaj pa ngritur akuzë dhe në kushte që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si kryetar bashkie dhe të zhvillojë fushatën për zgjedhjet kombëtare të 11 majit. Ndalimi i tij i vazhdueshëm, pa ngritje akuze, u miratua nga gjykata e SPAK-ut pa shqyrtuar realisht nëse ndalimi ishte i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa marrë parasysh mundësitë alternative ndaj ndalimit.” – thuhet, gjithashtu, në shkrimin e cituar.