Në një tjetër kapitull të çmendur të sagës gjyqësore që po përplaset në majat më të larta të politikës shqiptare, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi që Ilir Meta të vazhdojë të qëndrojë në qeli, pavarësisht përpjekjeve të tij për zëvendësimin e masës së arrestit me burg.
SPAK-i depozitoi prova të reja në dosjen voluminoze që mban emrin e Metës, ku ndër të tjera hedh dyshime mbi lobimin e LSI në SHBA dhe përdorimin e dyshimtë të kartave bankare nga ish-çifti Meta-Kryemadhi, për blerje jashtë vendit me para të biznesmenit Ardian Shatku. Por mbrojtja e ish-presidentit nuk e ka ndarë mendjen duke hedhur poshtë me të gjitha forcat akuzat, përfshirë edhe ato që lidhen me kartat bankare, që sipas tyre janë thjesht një “lajthitje” e Kryemadhit.
Avokati Kujtim Cakrani u shpreh me bindje se Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me kontratat apo pagesat për lobimin në SHBA, ndërsa përgjegjësinë për kartat e përdorura e hodhi mbi ish-bashkëshorten, Monika Kryemadhin. Madje, theksoi se Meta vendosi edhe divorcin ligjor pasi u zbulua një nga kartat në shtëpinë e nënës së Kryemadhit si një “shkelje e rëndë e besimit”, sipas mbrojtjes.
Në dosje, SPAK thotë se biznesmeni Ardian Shatku ka dhënë para dhe kredi që kanë përfituar ish-cifti, por mbrojtja e Metës thotë se ky i fundit as nuk ka qenë në dijeni, e as nuk ka përdorur ndonjë nga kartat.
“Meta nuk është as i përfshirë, as i njohur me këto aktivitete, dhe kur mori vesh për kartat, vendosi divorcin,” deklaroi avokati. Po ashtu, sipas mbrojtjes, Shatku është kushëri i largët i Kryemadhit dhe asnjëherë nuk ka qenë person i besuar i Metës.
Ilir Meta qëndron në qeli prej tetorit, ndërkohë që kërkon një masë më të butë sigurie, duke pretenduar se SPAK nuk ka bërë punën e duhur për të informuar gjykatën gjatë 8 muajve të fundit.
Mbrojtja e Metës thekson gjithashtu mungesën e provave të reja dhe e konsideron akuzën ndaj tij si “tendencioze” dhe një sulm politik ndaj kauzave të tij.
Ndërkaq, me të njëjtat akuza janë pandehur edhe Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortja e tij, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie një dosje që duket se do të sjellë edhe shumë surpriza në javët dhe muajt që vijnë./Lexo.al