Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama, i cili në një postim publik i bëri thirrje kësaj gjykate që të mos “lajthisë” duke pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritje pagash me 700 euro.
Në një deklaratë për mediat, Gjykata Kushtetuese e cilëson këtë deklaratë si përpjekje për ndikim dhe minimin e autoritetit të saj institucional. Sipas saj, të tilla qëndrime vënë në dyshim pavarësinë e gjykatës dhe cenojnë parimet e shtetit të së drejtës.
“Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet nga qëndrime apo deklarata të përfaqësuesve të pushteteve të tjera, përfshirë pushtetin ekzekutiv”, thuhet në reagim.
Gjykata shton se, megjithëse vendimet e saj mund të jenë subjekt kritike, çdo formë presioni apo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin e saj mbetet e papranueshme.
Deklarata vjen një ditë pas qëndrimit të kryeministrit Rama, i cili në një reagim në platformën “X” e quajti skandaloze kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritje pagash. Sipas tij, kjo është hera e dytë brenda tre viteve që paraqitet një kërkesë e tillë në Gjykatën Kushtetuese, dhe i bëri thirrje gjykatës të mos përsërisë vendimin e mëparshëm.
Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese më 3 mars 2025 dhe ka kaluar fazën paraprake. Seanca për shqyrtimin e çështjes pritet të zhvillohet në mes të muajit qershor./Lexo.al