Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shprehu trishtimin e tij për ndarjen nga jeta të regjisorit të mirënjohur Leka Bungo.
“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të ikonës së teatrit dhe filmit shqiptar, regjisorit të mirënjohur Leka Bungo. Trashëgimia e tij artistike do të jetojë përgjithmonë. U prefsh në paqe mjeshtër!”, shkroi ministri Blendi Gonxhja, në profilin e tij në rrjetet sociale.
Leka Bungo u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë. Trupi i tij do të prehet në varrezat e Sharrës, shkruan atsh.
Leka Bungo ishte një artist i kompletuar, regjisor dhe skenarist brilant. Ai la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare me dhjetëra shfaqje teatrore dhe filma artistikë. Ishte një nga figurat më të respektuara të Televizionit Shqiptar, ku kontribuoi për vite me radhë në zhvillimin e produksioneve cilësore.