Në një intervistë ekskluzive për prestigjiozen britanike The Guardian, kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë që ka ngjallur shumë kureshtje: ai ka zbuluar momentin kur do të largohet nga politika!
Rama, i cili sapo ka siguruar një mandat të katërt historik në krye të qeverisë shqiptare, tha se dorëheqja e tij do të vijë në një moment që për të do të ishte “më i duhuri dhe më i mrekullueshmi”. Dhe ky moment nuk është aspak i largët, nëse Shqipëria arrin një qëllim të shumëpritur – anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Po, do të ishte koha për të dorëzuar stafetën”, u shpreh ai me bindje. Sipas Ramës, kjo do të ishte jo vetëm një arritje personale, por edhe një kontribut për vetë Evropën: “Do të ndihmonte Evropën të bëhej më pak e mërzitshme dhe më e ndritshme.”
Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE që prej vitit 2014, ndërsa ka qenë pjesë e NATO-s që në vitin 2009. Por sipas Ramës, dinamika ka ndryshuar ndjeshëm kohët e fundit, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.
“Gjithçka ndryshoi. Edhe Vladimir Putin kontribuoi në një farë mënyre, duke e bërë Evropën më të interesuar për zgjerimin e saj”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Duket se largimi i Ramës nuk do të ndodhë me zgjedhje të zakonshme, por në një moment historik për Shqipërinë – nëse dhe kur bëhemi pjesë e familjes europiane. A do të ndodhë kjo gjatë mandatit të tij aktual? Mbetet për t’u parë.