Nga Hermes Kafexhiu

Ka një sport të ri në Shqipëri që po bëhet gjithnjë e më popullor: gjyqtarët që i çojnë qeverisë padi për rritje rroge. Nuk bëjnë grevë, nuk protestojnë, as nuk shkruajnë letra të hapura me lotë të rremë për “dinjitetin e sistemit”. Jo, ata kanë luksin të gjykojnë veten dhe të vendosin për veten. Vetëm në Shqipëri ndodh që një gjyqtar shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe thotë:

“Zoti Gjyqtar, më rrit pak rrogën, jam lodhur me 156 mijë lekë në muaj.”

Dhe tjetri, me një buzëqeshje të lodhur nga ngarkesa e madhe, i thotë:

“Po patjetër koleg, ta shtojmë pak edhe me 700 euro, se ç’na u zbeh fytyra nga varfëria këto muaj.”

Ndërkohë, në galeritë e Bulqizës, një minator që nuk ka as luksin të ankimojë dëmtimet në punë, e jo më pagën, ngel i bllokuar nëntokë dhe shteti e quan “aksident pune”.

Një tjetër mbetet invalid dhe marrin vesh vetëm familjarët. Asnjë seancë kushtetuese për ta. Asnjë debat për përqindje të presidentit apo për drejtorin e Departamentit të Kryeministrisë. Ata e kanë pagën e lidhur me… jetën. Sa zgjat, zgjat.

Por gjyqtarët nuk i bëjnë këto punë. Ata nuk kanë pluhur në mushkëri, por prokurë në duar. Dhe këtë prokurë e përdorin për të kujtuar se Shqipëria është e ndërtuar për t’i mbajtur ata të kënaqur, të pastër, të pacenuar dhe më e rëndësishmja gjithmonë e më mirëpaguar. Në një vend ku një mësues mesatar merr më pak se një e treta e një gjyqtari, drejtësia duket se ka hyrë në epokën e vet të artë. Por jo! Edhe 156 mijë lekë u duken pak. Se e dinë që qeveria u rriti pagat “sa për njëzet vjet”, por për ta, çdo vit është njëzet vjet vështirësi. Apo ndoshta, çdo vit duan rrogë sa për njëzet minatorë?

Dhe këta janë gjyqtarët që dolën nga Vetingu, të cilët u promovuan si “elita e pastër e drejtësisë së re”.

Tani që janë të “pastër”, duket se pastërtinë po e përdorin si justifikim për të mos u ndotur me hallet e qytetarëve të zakonshëm atyre që nuk i dërgojnë dot pagat në gjykatë, sepse nuk kanë kohë për pushime ligjore, janë në minierë, në ambulancë, në call center, ose në emigracion.

Nëse ndonjëherë një minator do të guxonte të kërkonte rritje rroge me vendim gjykate, me siguri do të merrte një vendim “të papranueshëm në formë dhe përmbajtje”. Por gjyqtarët jo. Ata nuk janë vetëm të paprekshëm. Janë edhe autorët e çmimeve të tyre.

Edi Rama mund të ketë bërë shumë gabime, ndër të cilat toleranca e tij mund të ketë kushtuar, por nga ana tjetër Edi Rama është një nga njërëzit me besimin më të madh nga shqiptarët, përtej çdo diskutimi publik për kontestimet rreth zgjedhjeve të tij.

Po një nga ata që peshon është që e përkëdheli drejtësinë si një fëmijë tekanjoz të reformës, me mendimin se po i ushqeu mirë, do rriteshin të ndershëm.

Po tani që janë rritur, kërkojnë edhe më shumë ushqim, edhe më shumë privilegje, edhe më shumë kontroll. Janë rritur jo si drejtësia që donim, por si ajo që kërkon shtesë shpenzimesh çdo tremujor, njëlloj si faturat e luksit në ndonjë resort.

A është kjo drejtësia që shqiptarët sakrifikuan? Jo. Ne e krijuam Vetingun për të hequr një kastë dhe për të sjellë gjyqtarët. Ne nuk besuam Vetingun që ta zëvëndësojmë, kastën me kastë. Kjo është një kastë që kërkon të bëjë ligjin, të gjykojë ligjin dhe të përfitojë nga ligji

Shqipëria nuk ka luksin të paguajë edhe një herë ëndrrën e dështuara të një drejtësie të përkëdhelur. Se ndërkohë që gjyqtarët merren me përqindjet e pagës së Presidentit, dikush tjetër atje jashtë humb jetën për një pagë që s’mjafton as për qeranë e një gjykatësi.

Dhe për këtë, duhet thënë një herë e mirë: Jo. Boll. Edi Rama nuk duhet të përkëdhelë më drejtësinë dhe gjyqtarëtTa lëmë të përballet me realitetin. Ashtu si çdo qytetar tjetër. Si çdo minator. Si çdo shqiptar që nuk ka gjykatë për të vendosur vetë rrogën e tij.