Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 11 majit. Koalicioni PD-ASHM kishte kërkuar përsëritjen e procesit zgjedhor në tre qarqe, Korçë, Lezhë dhe Gjirokastër, duke pretenduar shkelje dhe parregullsi gjatë votimeve.
Por Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi që kërkesa nuk kishte bazë për të ndryshuar rezultatin dhe rrëzoi kërkesën për rikthim në votime në këto zona.
“Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 42, të Koalicionit PD-ASHM, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore qarku Korçë, si të pa mbështetur në ligj dhe në prova. Lënien në fuqi të vendimit 1315/2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Korçë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 11 maj 2025”, thuhet në njoftim.