Përplasjet mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokratike nuk po mbulohen më me dekorin e “bashkëpunimit opozitar”. Ajo që deri dje dukej si tension i nënkuptuar, sot ka dalë hapur: nuk ka më besim mes dy aleatëve kryesorë të opozitës.
Pas deklaratës së bujshme të Ilir Metës se PL do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale, ditën e sotme vjen edhe një tjetër sinjal i qartë i distancimit. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, i ka dërguar një kërkesë zyrtare KQZ-së për rinumërim të kutive në Bashkinë e Kavajës – një bashki e fituar nga demokratët më 11 maj.
Kërkesa nuk është vetëm procedurale, por një sinjal politik që flet shumë: Partia e Lirisë nuk i beson më procesit të menaxhuar nga aleati i saj. Në një kohë kur Berisha dhe Meta përpiqen të mbajnë gjallë idenë e “frontit opozitar”, lëvizje të tilla e bëjnë të qartë se çdo hallkë e këtij fronti po këputet njëra pas tjetrës.
Në shkresën drejtuar KQZ-së, Blushi kërkon që të rinumërohen të gjitha kutitë në çdo njësi administrative të Kavajës, duke përmendur dyshime për parregullsi dhe nevojën për transparencë.
Për publikun, është e qartë: opozita nuk është vetëm e përçarë, por edhe në mosbesim të thellë ndaj vetes. Dhe kjo, në prag të zgjedhjeve, është paralajmërim për kaos dhe dështim të radhës.