Kulla e Kurpalëve në Letaj, Has tashmë është restauruar dhe pret vizitorë.
Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se kjo kullë historike iu nënshtrua rijetëzimit dhe tashmë është e hapur për komunitetin dhe vizitorët.
Projekti përbën një hap tjetër për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Kulla e Kurpalëve në Letaj, Has, është monument i veçantë kulture dhe historie, që i përket kategorisë së parë.
E ndërtuar rreth 150 vite më parë nga bijtë e Kurpalit, kjo kullë ka mbijetuar kohërat e vështira dhe ruan në gurët e saj një histori të pasur atdhetarie dhe krenarie. Kulla e Kurpalëve ka rifituar shkëlqimin e saj të dikurshëm dhe tashmë është shndërruar në një muze të hapur për të gjithë.
Vizitorët kanë mundësinë të njohin nga afër arkitekturën karakteristike të kullës, mënyrën tradicionale të jetesës dhe ngjarjet historike që kjo kullë ka përjetësuar ndër vite.
Me historinë e saj frymëzuese, kulla jo vetëm që dëshmon identitetin kulturor të krahinës së Hasit, por edhe kujton forcën e shpirtit shqiptar për të mbrojtur atdheun.
Një pasuri e trashëgimisë sonë kombëtare që mirëpret të gjithë ata që duan të ndihen më pranë historisë dhe traditës shqiptare.