Nga Jakin Marena
Shqiptarët në të dy anët e kufirit, të përmbledhur në dy shtete tashmë, po përballen me situatat postzgjedhore respektive. Për hir të së vërtetës situatat janë të ndryshme, të ngjashme kanë vetëm faktin se vijnë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në të dyja vendet.
Po e nisim me Kosovën, meqë është shteti më i ri në Evropë e shteti i dytë shqiptar, do apo nuk do Albini, Kosova është dhe vëllai ynë i vogël, por që është e përfshirë në një ngërç të fortë institucional dhe politik. Aq sa janë bllokuar të gjitha ‘arteriet’ e funksionimit të shtetit dhe deri më tani punojnë institucionalisht vetëm Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese.
Që nga fillimi i shkurtit kur kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe ku si parti e parë u rikonfirmua nga shqiptarët e Kosovës Vetëvendosja e Albin Kurtit, e deri ditën e sotme kur u zhvillua dhe dështoi me sukses të plotë seanca 29 e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shteti i dytë shqiptar në Ballkan funksion formalisht, pasi nuk ka Kuvend dhe kryetar Kuvendi, nuk ka qeveri të miratuar nga ky Kuvend për të qeverisur vendin dhe kryeministër të ri të dalë nga votat e popullit. Thjeshtë qeveriset nga një kryeministër dhe një qeveri në detyrë.
Albin Kurti është fiksuar vetëm pas një emri për kryeparlamentare, Albulena Haxhiut, ministre në detyrë e Drejtësisë, por që partitë parlamentare të opozitës nuk ia japin votën pasi e quajnë një figurë të papërshtatshme e konfliktuale për të qënë numri 2 i shtetit! Janë të bindur e të vendosur për ta bërë ‘hasha’ Albulenën, duke e ‘dënuar’ deri në pafundësi me mungesë vote.
Duke qënë se Kurti ka vetëm 48 vota vetë, dhe disa vota të pakicave joserbe për të arritur në numrin e panevojshëm prej 57 votash, i duhen dhe 4 vota në Kuvend për të fituar ‘betejën’ për Albulenën, vijon me kokëfortësi të mos e ndryshojë kandidaturën e VV për kryetare Parlamenti, duke ftuar vetëm LDK që ta votojë me detyrim përcaktim, por dhe duke ftuar opozitën në tërësi që ta votojë këtë kandidaturë statike. Madje, me një arrogacë totale e kërkon këtë gjë Albini, thuajse i ka për detyrë opozita që t’ia plotësojë mazhorancën që i mungon Vetëvendosjes. Dhe sjelljen arrogante Kurti dhe të tijtë e shpërshfaqin duke e shoqëruar me akuzat se po bllokon konstituimin e institucioneve dhe po i paraprin krizës në Kosovë.
Anipse Kurti e ka kollaj fare, ndryshon Albulenën si kandidate për kryeparlamentare dhe si i pari në listën e partive të dala nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, por një fitore si të “Pirros” pasi nuk bën dot as qeveri dhe as nuk zgjedh kryetar Parlamenti, Kurtit i duhet të negociojë me opozitën, përndryshe një situatë e tillë pa kryetar parrlamenti dhe pa qeveri mund të vijojë pambarimisht.
Njëkohshëm dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë rast, që ka një hapësirë të madhe kohore në dispozicion për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi, konflikt i cili sipas të gjitha gjasave do të përfundojnë me kalimin e vendit në zgjedhje të parakohëshme. Ndoshta dhe para zgjedhjeve për pushtetin vendor të 12 tetorit të këtij viti në Kosovë.
Megjithëse Kurti po lufton me të gjitha mënyrat që ta zgjasë sa më shumë krizën, me shpresën se do të përlyejë opozitën si bllokuese të konstituimit të institucioneve kryesore të shtetit, por dhe për të fituar kohë, pasi parasheh se zgjedhjet në një ditë, parlamentare si dhe ato vendore, janë një shans për të maksimalizuar votën për shumicën në Parlament. Shtuar dhe këtu dhe ndonjë ‘dorë ndihme’ që mund t’i japë mik-armiku i tij serb Vuçiç, me ndonjë tension të stisur në Veri dhe ku ‘trimi pas lufte’ Albin Kurtie shpura e tij asnjëherë pjesë e luftës për çlirim të Kosovës nga okupimi serb, jemi të bindur se do ta kapin në ajër!
Pra Kurti këmbëngul për emrin e Albulenës si kryetare Parlamenti, duke shpresuar se opozita do të ‘thyhet’, do të lodhet e do ta votojë kandidaten e Vetëvendosjes. Kurti e do Albulenën kryetare Kuvendi jo për ndonjë arsye personale të veçantë apo për ndonjë shpërblim për kamikazërinë që ajo ka bërë në Kuvend dhe në çdo ambient në mbështetje të liderit të VV, por e do thjeshtë e vetëm për të pasur në dorë shtetin e Kosovës, pas krizës presidenciale, e cila është tërësisht e sigurtë me këtë konfigurim parlamnetar dhe mungese aleancash, ku Kurti nuk ka as 61 vota për kryetaren e Kuvendit dhe qeverinë e re, jo më 80 vota për Presidentin.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, në kushtet kur përfundon mandati i Vjosa Osmanit, ‘vakuumin’ institucional për Presidencën e plotëson kryetari i Parlamentit. Për ta mbajtur këtë post të përkohshëm deri sa Kurti të mbyllë punët e tij, dhe që ka në dorë pastaj dhe dekretimin e datës së zgjedhjeve parlamentare në momentin më oportun që e mendon Vetëvendosja. Prandaj Kurti ka hedhur në ‘meidanin’ politik vetëm këtë emër si kryetare Parlamenti, duke përfshirë në ‘betejën’ për Albulenën jo vetëm anëtarësinë dhe deputetët e Vetëvendosjes por dhe ‘patriotët’ e rrjeteve sociale, që i ka me shumicë. Të cilët godasin përmes adresave dhe grupeve false të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Albin Kurti. Si në Kosovë ashtu dhe në shtetin amë, Shqipëri.
‘Armata’ e këtyre patriotëve, kryesisht me bazë në diasporë të cilët janë të rregulluar mirë e bukur andej pa asnjë dëshirë për t’u rikthyer në dheun e të parëve për të punuar e jetuar aty, që duan vetëm Albinin në Kosovë dhe Vetëvendosjen në pushtet edhe për shkak se Albini është vetë diasporë si ata, ka shtëpi e katandi mes Norvegjisë e Beogradit, pa përjashtuar këtu dheun e të parëve të vetë Kurtit, fshatin e tij të origjinës, në pjesën shqiptare të Malit të Zi si dhe ‘shtëpinë e pushimit’ në Greqi, përpos sulmeve ndaj kundështarëve politikë në Prishtinë, nuk lënë rast pa shfrytëzuar për të sulmuar dhe shtetin amë, Shqipërinë.
E bënë këtë dhe në rastin e ndeshjes Shqipëri-Serbi në Tiranë, ku të gjithë ata që s’kanë hedhur një armë kundër pushtuesit serb atëherë kur duhej dhe e kishin rastin me pash, fëmijët e tyre dhe të atyre që ‘qanin’ prishjen me Beogradin për shkak të ‘katunarëve të Drenicës që ngritën UÇK-në dhe donin luftë’, kërkon ‘luftë’ me futbollistët e Serbisë në ‘Air Albania’ në Tiranë. Duke spekuluar deri aty, sa jo vetëm që nuk e njohin politikisht rolin e UÇK-së por nuk njohin as fizikisht njeriun simbol të kësaj lufte, heroin legjendar Adem Jashari, të cilit i kishin zëvendësuar portretin me një tjetër, dhe shkruanin në banderolën që kërkonin ta vendosnin në staduimin kryesor në Tiranë: “Adem Jashari, ti je gjallë”. Nuk mbeten ‘pa tekst’ me një fjalë.
Merren me gjithçka Kurti dhe mbështetësit e tij, por nuk thotë asnjë fjalë për krizën politike që ka mbërthyer Kosovën, për izolimin total në të cilin e ka futur Kurti Kosovën në tërë këto vite të qeverisjes së tij, pa asnjë njohje si shtet, me një konflikt të hapur me SHBA, vendet e BE dhe Shqipërinë, aq sa tashmë që, jo vetëm vetë Kurti trajtohet si person ‘non grata’ por dhe Kosova për herë të parë në historinë 26 vjeçare që nga çlirimi nga okupimi serb, është nën sanksione nga BE dhe shihet me dyshim nga ata që e çliruan, e bënë shtet dhe po mbrojnë dhe sot e kësaj dite kufijtë e saj si shtet. Pra nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe!
Vënia nën sanksione nga ana e BE jo vetëm që e ka dëmtuar rëndë politikisht vetë Kosovën si shtet, ekzistencën e saj dhe seriozitetin e zyrtarëve të Kosovës dhe të vetë shtetit në raport me partnerët, por e ka zhytur dhe një një krizë të thellë ekonomike, duke bllokuar të gjitha paratë që ishin parashikuar të vinin nga institucionet e ndërkombëtare, mbi 800 milionë euro grante e kredi të buta. Mbi të gjitha, është tronditur nga themelet besueshmëria e partnerëve ndaj klasës politike në pushtet në Kosovë.
Edhe sikur vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme në mesin e verës, kriza institucionale e ‘prodhuar’ nga zgjedhjet e shkurtit nuk mund të zgjasë pafundësisht, Ndoshta sërish Albin Kurti mund të dalë parti e parë nga ballafaqimi elektoral, dhe me këtë konfigurim opozitar ku ka apo nuk ka vota, secila parti kërkon karrigen e kryeministrit, gjasat janë që kriza të vijojë, Kurti të qeverisë si kryeministër në detyrë, izolimi të vijojë pa fund, sanksionet e BE të vijojnë pafund, kriza e rritjes së çmimeve të vijojë me intensitet të lartë, korrupsioni po e po me energjinë dhe me mbetjet shtazore, me Serbinë kuptohet, si dhe kriza politike të jetë këmbëkryq.
Nuk do të jetë çudi që SHBA dhe BE të ‘lodhen’ nga mistrecllëqet e Kurtit, dhe t’i fusin një ‘delete’ marrëdhënieve me Kosovën, mbështetjen për të duke dyndur bazën ushtarake në Ferizaj por dhe trupat e KFOR që ruajnë Kosovën, dhe duke e lënë Albinin si një ‘mallkim’ total në krye të Kosovës së izoluar dhe të brishtë përballë ‘ujqërve’ ballkanikë e deri në Rusi! Atëherë shihet sa vlejnë këta patriotët e rrjeteve sociale, që kur kishin mundësinë dhe detyrën për të luftuar me armë në dorë Serbinë, nuk u dëgjohej zëri. Dhe sërish Shqipëria do ta mbajë në ‘shpatullën’ e vet vëllain e vogël dhe mistrec. Siç ka bërë në vitet e luftës së UÇK që i garantoi mbështetje deri me ushtarë dhe armatime, apo me përballimin e 900 mijë të deportuarve nga Serbia të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri më 1999. Gjaku nuk bëhet ujë.
E themi këtë sepse Shqipëria, e kthyer praktikisht në një qendër rmirëfilli rajonale, që pret në samite deri dhe liderët e BE dhe plot 47 liderë evrpianë vetëm 2 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti, e ka potencialin por mbi të gjitha dëshirën për ta mbështetur Kosovën në ditët më të këqia ku e ka zhytur ‘mallkimi’ i Albin Kurtit. I cili nuk po i ndahet Kosovës, deri në izolim të thellë të saj dhe lënies nën sanksione, duke rrezikuar dhe ekzistencën e saj si shtet. Kjo dhe me përkrahjen me votë të vetë shqiptarëve të Kosovës, segmenteve islamike që kanë lidhje serbe, të vertetuara këto dhe nga organet ligjzbatuese të Kosovës, diaspora që është kaluar andej ku punon e jeton si dhe të një klase politike qeverisëse të Kosovës e cila fijet e saj të nëndheshme i ka deri në Beograd përmes kompanive të energjisë, me përfaqësues nga ‘elita’ e ambasadorëve e deri tek familjarët më të afërt të Albin Kurtit.
Dhe në shtetin amë, Shqipëri, është një ‘mallkim’. Ai është Sali Berisha, ish kryeministri, ish presidenti dhe kryetari i përjetshëm i PD. Por ama, shqiptarët e kanë nxjerrë në periferi duke e shpallur ‘non grata’ e duke mos i dhënë asnjë shans jo vetëm për t’iu afruar pushtetit por as që të ketë një pakicë bllokuese për ligje të rëndësishme. Praktikisht Berisha, dhe miku i Albinit, është kthyer në një mallkim vetëm për PD, jo për Shqipërinë.
Në ndryshim nga vëllezërit tanë përtej kufirit që Albinin e kanë ‘mallkim’ për tërë Kosovën, Berisha po penalizon vetëm demokratët, të cilët tashmë e kanë humbur kuptimin se si luftohet për të ardhur në pushtet. Pasi po shfrytëzohen vetëm për hallin personal të Berishës. I cili humbi thellë në zgjedhjet e 11 majit të këtij viti, përballë PS që mori 83 mandate deputeti. Shumë afër shumicës cilësuese prej 84 votash, pasi PS bashkë me aleatin hipotetik PSD, arrin në 86 mandate deputeti në Kuvend. Pa lënë asnjë shans presioni për ‘pazar’ për Berishën me 50 deputetë.
Anipse Berisha nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke bërë që të lëvizë deri në Bruksel për të nxirë Shqipërinë, dhe kërkuar mosnjohje të zgjedhjeve nga vendet e BE, pasi për të ‘Shqipëria është një narkoshtet që ka blerë dhe këto zgjedhje’. Liderët e BE dhe Evropës të cilët ishin në Tiranë më 16 maj, 5 ditë pas zgjedhjeve, uruan Ramën për fitoren e thellë më 11 maj, vlerësuan shqiptarët për zgjedhjet. E bëri dhe SHBA këtë vlerësim, i njohu zgjedhjet.
Nga Macron, Meloni, Starmer, Merz, Orban, Erdogan e deri tek presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, përgëzuan kryeministrin për fitoren më 11 maj, si dhe i dhanë mbështetjen për mbylljen e negociatave më 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030! Por dhe garantuan bashkëpunim të fortë. Pra zgjedhjet janë njohur, është njohur fituesi që është Rama dhe hunbësi fatal që është Berisha. Le të lëvizë nëpër botë Berisha, asnjë ‘kosto’ nuk i sjell vendit, jo vetëm pse është ‘non grata’ në SHBA e Britani, por dhe pse askush nuk e mbështet. E njohin mirë. Madje shumica e njohin që nga ‘baballarët’ e tyre politikë, që e kanë pasur koleg Berishën, që nga viti 1990. Dhe që2 sot jo vetëm s’janë në politikë, por as më këtë jetë.
Me Berishën në krye, PD kurrë nuk vjen në pushtet. Jo se Berisha është tani 81 vjeç dhe në vitin 2033 do të jetë gati 90 vjeç, zgjedhjet e vitit 2029 i ka qarë me kohë e vakt duke i garantuar një mandat të pestë socialistëve të Ramës, por sepse shqiptarët e kanë braktisur me themel Partinë Demokratike, duke e votuar me 250 mijë vota minus çdo palë zgjedhje dhe duke e dërguar drejt shuarjes. Dhëntë zoti që dhe në Kosovë, Kurti të jetë ‘mallkim’ vetëm për Vetëvendosjen si Berisha në Shqipëri për PD. Do ishte mirë që kjo të ndodhte në zgjedhjet e parakohëshme të radhës, për t’i dhënë mundësinë e daljes nga izolimi dhe ringritjes së shqiptarëve përtej kufirit në Kosovë. Të shpresojmë. Pasi çdo popull, në fund të herës ka qeverinë që meriton.