Deputetët e rinj të Partisë Socialiste do të ulen në karriget e “Akademisë Politike” të Partisë Socialiste.

Deputetët e rinj të mazhorancës do të duhet të shtyjnë pushimet, pasi fillimisht do të marrin pjesë në shkollën verore që do të zgjasë një muaj, nga data 20 qershor deri më 20 korrik.

Akademia politike do të jetë e ndarë me 5 module të ndryshme që përfaqësojnë lëndët që do të mësojnë deputetët e rinj.

Në mësimdhënie, krahas deputetëve me eksperiencë në PS, do të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama. Lënda që do të japë kryeministri ka të bëjë me rolin e deputetit dhe etikën e përfaqësimit.

Modulet që do të ndjekin deputetët e rinj:

Moduli 1 – Roli i Deputetit dhe Etika e Përfaqësimit

Lektorë: Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Niko Peleshi

-Ky modul përqendrohet në misionin themelor të përfaqësuesit të popullit dhe standardet etike të angazhimit politik.

Moduli 2 – Funksionimi i Parlamentit

Lektorë: Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu

-Njohuri mbi procedurat parlamentare, strukturat ligjvënëse dhe funksionimin e institucioneve ligjore.

Moduli 3 – Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Ndërkombëtare

Lektorë: Elisa Spiropali, Adea Pirdeni, Olta Xhaçka

-Fokus mbi diplomacinë parlamentare dhe ndërveprimin me aktorë ndërkombëtarë.

Moduli 4 – Komunikimi Politik

Lektorë: Taulant Balla, Endri Fuga, Eduard Shalsi

-Trajnim mbi komunikimin strategjik, rolin e medias dhe përballjen me opinionin publik.

Moduli 5 – PS dhe Vizioni 2030

Lektorë: Milva Ekonomi, Bledi Çuçi, Evis Kushi

-Diskutim mbi programin politik afatgjatë të Partisë Socialiste dhe prioritetet për dekadën e ardhshme.

Sipas PS kjo akademi synon të përgatisë një brez të ri deputetësh që jo vetëm kuptojnë rolin e tyre institucional, por janë të aftë të kontribuojnë me përkushtim në implementimin e vizionit të PS për vitet në vijim, sidomos drejt vitit 2030.