Nga Hermes Kafexhiu/
Nëse ke kaluar ndonjëherë mes lagjeve të punëtorëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, e di shumë mirë se atje nuk gjendet ajo fytyra e errët që do Farage t’i shpikë një kombi të tërë. Atje ka fëmijë që shkojnë në shkollë me biçikletë, nëna që punojnë pastrime nga mëngjesi në mbrëmje, burra që bëjnë orë të zgjatura në ndërtim për të paguar qiranë. Ata nuk janë “një në 50 në burg”, ata janë “49 nga 50 që s’kanë asnjë lidhje me burgun”. Por kjo s’është ndonjë titull i mirë për GB News, apo jo, zoti Farage?
Ti, Nigel Farage, je burri që e binde një popull të dalë nga Lufta e Dytë Botërore të besojë se emigranti është problemi. Jo mungesa e investimeve, jo varfëria sistemike, jo sistemi i dështuar shëndetësor apo arsimor por emigranti. Dhe tani, kur efekti Brexit është kthyer si bumerang, e ke gjetur përsëri “armikun e brendshëm”, shqiptarët.
Me një fjali, i dhe leje vetes të bësh atë që s’e bëjnë dot as tabloidët me gjithë arsenalin e tyre: t’i quash shqiptarët një komb kriminelësh.
“Një në çdo 50 në burg,” the ti.
Si e llogarite, zoti Farage? Me kalkulatorin e tabloidëve? Me instinktin që ke ndërtuar në një jetë politike që prodhon vetëm frikë dhe ndasi?
Në të vërtetë, ti nuk flet me fakte. Flet me pasionin e atyre që duan të shpikin një histori, jo të tregojnë të vërtetën. Edi Rama të dha një përgjigje që nuk ishte as ofendim, as thirrje për luftë politike por një sfidë për logjikë dhe dinjitet, “Solli shifrat në tavolinë.”
Dhe ti? U fute në bunkerin e propagandës.
Po të interesonte realisht Britania, do të dije që shqiptarët nuk janë një “eksport i krimit”, por një pasuri e heshtur për shumë lagje britanike që funksionojnë falë punës së tyre. Do të dije që shumë prej tyre kanë ardhur aty jo për të bërë krim, por për të shpëtuar nga një sistem vizash që ju, politikanët britanikë, e kthyet në një mur cinizmi dhe përjashtimi. Do të dije që “krimi” që ju përmendni me kaq lehtësi shpesh është veç një djalë 18-vjeçar i kapur në rrjetën e trafikantëve, sepse s’ka pasur rrugë tjetër për të kaluar kanalin, sepse Britania nuk i ofron më as rrugë ligjore, as shpresë.
Por të flasësh për këtë kërkon guxim. Dhe ti nuk je burri i guximit, zoti Farage. Ti je burri i titujve të lehtë, i fjalëve të shkurtra, i dogmave që i ushqejnë frikës së turmës, sepse vetëm aty gjen vend ti. Ti je njeriu që ndërton murin, jo urën.
E përpara se të flasësh për shqiptarët, ndoshta do ishte mirë të dëgjoje një shqiptare si Lea Ypi, që më shumë sesa çdo debat televiziv, të tregon pse një vend si Britania humbi fytyrën kur ndërroi dinjitetin me frikën. Ajo që me libra të përkthyer në mbi 20 gjuhë dhe me një mendje brilante në universitetet britanike, përfaqëson atë Shqipëri që ju nuk doni ta shihni, sepse nuk ju hyn në narrativë.
Ndaj kjo histori duhet të marrë fund. Jo thjesht për shqiptarët por për të gjitha shoqwritw që, si ne, janë bërë shpesh mish për topin e propagandës perëndimore. Ajo histori ku emigranti është armiku i përjetshëm, ai që vjen për t’ju marrë vendet e punës, gratë, rendin dhe dinjitetin. Kjo histori është një rrenë e vjetër sa vetë politika e ndyrë.
Fjala “kriminel” nuk është për t’u përdorur si kokërr kripe në çdo darkë televizive. Ka peshë. Dhe kur i vihet padrejtësisht një kombi të tërë, ajo peshë bëhet baltë por më shumë mbi ata që e thonë, sesa mbi ata që e pësojnë. Sepse shqiptarët nuk kanë frikë nga Farage, as nga titujt e tij. Ata kanë frikë vetëm nga një e ardhme që i sheh gjithmonë me dyshim, edhe kur s’kanë bërë asgjë për t’u dyshuar.
Zoti Farage, nuk do ta kuptosh këtë, sepse s’do ta pranosh kurrë, shqiptarët janë aty për të jetuar, jo për t’u fshehur. Janë aty për të punuar, jo për të marrë ndihma. Dhe janë më shumë britanikë në shpirtin e përditshmërisë, sesa shumë britanikë që jetojnë me frikën se dikush “po ua merr diçka”.
Ndaj po ta themi thjesht, ‘Mjaft. Boll më. Ky vend e ka kaluar njëherë kohën kur vendet klasifikoheshin në të mirë dhe të këqij. Historia që ke shkruar, është histori për t’u djegur. Jo për t’u përsëritur.
Koha është që dikush ta thotë me zë të plotë, shqiptari nuk është fajtor për dështimet tuaja. Dhe nuk do të heshtim më. Jo përballë një gënjeshtre që ka për qëllim të na bëjë të ulim kokën./Lexo.al