Jo për retorikë, por sepse sistemi i drejtësisë, edhe pas “ritualit të pastrimit” po vijon të kalojë nga një krizë në tjetrën, duke dëshmuar se reforma ishte vetëm gjysma e betejës. Gjysma tjetër, ajo më e fshehta, është beteja për kapjen e pushtetit që la bosh vettingu.
Kjo është edhe historia e fundit me Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturën që ne do donim ta kishim “FBI-në shqiptare”, por që sot po rrotullohet rreth një gare të deformuar për drejtues, afate të shpërfillura, kandidatura të zgjatura me “oksigjen” dhe një komision që më shumë po prodhon tension sesa vendimmarrje.
Nëse nuk e kuptoni situatën, është sepse askush nuk po e shpjegon siç duhet. Sepse askush nuk ka interes ta shpjegojë siç është.
Kujt i intereson kjo garë?
Nëse të qenët Drejtor i BKH-së do të ishte vetëm një punë burokratike, nuk do kishim këtë teatër. Por bëhet fjalë për kreun e një strukture që heton korrupsionin, krimin e organizuar dhe shpesh ka në duar dosje me ndikim të madh politik e financiar.
Ky është institucioni që do të duhej të mos kishte “pronar”, por garanci. Dhe tani që mandati i Aida Hajnajt po shkon drejt fundit, çështja e drejtimit është kthyer në betejë për kontroll.
Në 6 qershor 2025 mbyllet afati për aplikim. SPAK përcakton këtë datë si kufi për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët. Janë 13 emra në garë, disa me profil serioz, të tjerë me heroizma të sajuara në biografi të fryra nga PR-i, e ndonjë me duart e lidhura që nuk ka bërë dot ligj askund.
Derisa… del lajmi që SPAK ju ka dhënë edhe disa ditë shtesë 11 prej kandidatëve për të plotësuar dokumentacionin. Afati u bë elastik. Nën zë, zyrtarë të drejtësisë thonë se ndoshta dikush që duhet të jetë në garë, nuk e kishte bërë siç duhet dosjen. Dhe po ia japin shansin ta rregullojë.
Ligji që nuk flet, boshllëku që flet më shumë
Ajo që e bën më absurde këtë histori, është fakti që kjo strukturë – BKH-ja – nuk është as e përkufizuar si e tillë në Kushtetutë. Në ndryshimet e vitit 2016, neni 148/4 e përmend “Njësinë e Posaçme Hetimore”. Ligji organik nr. 65/2016 e quan “Byro Kombëtare e Hetimit”, një emërim amerikanizues për të dhënë iluzionin e fuqisë.
Por fuqia në Shqipëri nuk buron nga ligji. Buron nga boshti informal i kontrollit mbi institucionet. Dhe BKH është bërë, ngadalë, një strukturë që ka më shumë konflikt brenda se sa luftë ndaj krimit jashtë.
Sipas ligjit, drejtori i BKH-së zgjidhet nga KLP mbi bazën e një propozimi të ardhur nga një komision i ngritur në SPAK.
KLP ka rol emërues, SPAK ka rol përzgjedhës. Në letër duket një ndarje kompetencash solide.
Në praktikë? Jo vetëm që nuk ka një rregullore të brendshme të KLP-së për këtë proces, por gjithçka ka mbetur e varur mbi vullnetin e një komisioni ad-hoc të përbërë nga Arben Kraja, Behar Dibra dhe kreu i SPAK Altin Dumani – komision i cili, sipas burimeve, është në krizë të brendshme për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve.
Aida Hajnaj jashtë loje, por brenda dilemës
Drejtuesja aktuale Aida Hajnaj nuk ka aplikuar për një mandat të dytë. Arsyeja? Ajo mban qëndrimin se duhet të riemërohet nga KLP pa garë të re, gjë që nuk është parashikuar as qartë, as tërësisht në ligj.
Pra, kemi një drejtore që s’kërkon të garojë, por kërkon të rizgjidhet. Një KLP që nuk ka procedurë të qartë se ç’duhet të bëjë në këtë rast. Dhe një SPAK që prodhon një listë kandidatësh të përçarë dhe në thelb të papërgatitur ligjërisht.
KLP: noteri apo garantues i pavarësisë?
Pika kyçe është roli i KLP-së. Nëse SPAK i dërgon një emër të vetëm, KLP-ja nuk është e detyruar ta pranojë, nëse ka dyshime për integritetin, profesionalizmin apo pavarësinë e kandidatit. Por nuk ka as të drejtë të zgjedhë dikë tjetër vetë.
Pra, kemi një çengel procedural, nëse SPAK dështon, procesi duhet të riniset. Ndërkohë afatet nuk janë të përcaktuara.
E dini çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Që drejtori i ri i BKH-së mund të mos zgjidhet fare brenda afatit të mandatuar, që është fundi i gushtit 2025.
Çfarë po fshihet pas këtij kaosi të heshtur?
Çështja është më shumë sesa kush do e drejtojë BKH-në. Pyetja e vërtetë është:
Kush po e kontrollon mënyrën se si përzgjidhen ata që duhet të luftojnë krimin?
Ka zëra që flasin për emra të mbështetur politikisht, për interesa që duan të mbajnë BKH-në të dobët, pa profil dhe pa zë. Një strukturë që nuk shkakton bezdi për askënd, përveçse për të vërtetën.
Nëse kjo betejë për postin e drejtorit kalon pa transparencë, me afate që zgjaten sipas qejfit, me kandidatë që ftohen të korrigjojnë dosjet pas afatit, kjo nuk është drejtësi. Është menaxhim i pushtetit me mjete të ligjit, por jo në funksion të ligjit.
Në vend të mbylljes, zgjidhje apo përhumbje?
BKH, që do duhej të ishte zemra operacionale e SPAK-ut, po rrezikon të kthehet në apendicit institucional një organ pa funksion, që mbahet aty sa për sy e faqe, vetëm që sistemi të duket i plotë në letër.
Në vend që të kemi një procedurë të drejtë, konkurruese dhe transparente, kemi një ngërç të heshtur, një konflikt të brendshëm, një boshllëk ligjor dhe, më keq akoma, një mungesë të dukshme vullneti për ta zgjidhur këtë situatë me integritet institucional.
Është momenti që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojë rregulloren e munguar për procedurën e përzgjedhjes së drejtuesit të BKH-së — jo thjesht për të plotësuar një mungesë teknike, por për të vendosur një standard të drejtësisë funksionale.
Dhe është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të ndërhyjë për të ndryshuar dhe plotësuar kuadrin ligjor, duke mbyllur hapur çdo boshllëk që lejon manovra, zvarritje dhe kapje politike të një strukture që është konceptuar për të qenë gardiane e ligjit, jo viktimë e mosfunksionimit të tij./Lexo.al
Artikulli u punua nga gazetari Hermes Kafexhiu