Tensioni mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi ushtarak. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se një breshëri raketash balistike është lëshuar nga Irani në drejtim të territorit izraelit. Sirenat e alarmit pritet të bien në disa qytete ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të neutralizuar kërcënimet. Autoritetet izraelite u kanë kërkuar civilëve të qëndrojnë në strehimore deri në një njoftim të dytë.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka nisur sulme ajrore të drejtpërdrejta ndaj objektivave ushtarake në Teheran. Sipas raportimeve të IDF, Forcat Ajrore izraelite janë duke goditur një sërë pozicionesh strategjike iraniane në kryeqytet.

Ndërkohë, ushtria shtetërore iraniane, e cituar nga BBC, ka bërë me dije se janë lëshuar mbi 100 raketa drejt Izraelit në kuadër të valës së dytë të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”.

Sipas burimeve të sigurisë izraelite, të cituara nga Times of Israel, një tjetër sulm është ndërmarrë edhe kundër një pozicioni në Jemen, në përpjekje për të eliminuar një nga udhëheqësit e lartë të rebelëve Huthi.

Lajmi është raportuar nga La Repubblica, duke konfirmuar përshkallëzimin dramatik të konfrontimit ushtarak në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.